Back Shqipëria lançon projektin për forcimin e drejtësisë kushtetuese dhe të drejtave të njeriut

Shqipëria lançon projektin për forcimin e drejtësisë kushtetuese dhe të drejtave të njeriut

Këshilli i Evropës dhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë kanë lançuar projektin Forcimi i Drejtësisë Kushtetuese dhe i të Drejtave të Njeriut në Shqipëri, me mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim.

Projekti synon të rrisë efikasitetin, transparencën dhe aksesueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese, duke mbështetur njëkohësisht përafrimin më të madh të jurisprudencës së saj me standardet evropiane për të drejtat e njeriut.

Aktiviteti i lançimit, i zhvilluar në Tiranë, mblodhi së bashku përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese, partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të Këshillit të Evropës për të prezantuar vizionin, prioritetet dhe planin për zbatimin e projektit.

Lilja Grétarsdóttir, Drejtuese e Departamentit për Bashkëpunim në fushën e të Drejtave të Njeriut dhe Drejtësisë në Këshillin e Evropës, hapi aktivitetin së bashku me Dr. Fiona Papajorgji, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, dhe Sh.T.Z. Niklas Ström, Ambasador i Suedisë në Shqipëri. “Ne jemi këtu për të mbështetur një Gjykatë Kushtetuese që është efikase, transparente dhe e aksesueshme, dhe që mund t’u përgjigjet në mënyrë efektive kërkesave me të cilat përballet”, theksoi znj. Grétarsdóttir në fjalën e saj.

Ekspertë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës* dhe Gjykata Kushtetuese e Turqisë ndanë përvojat e tyre rajonale, ndërsa specialistë të Këshillit të Evropës paraqitën analizat e tyre fillestare dhe mësimet e nxjerra nga nisma të ngjashme. Diskutimet u përqendruan në prioritetet institucionale për zhvillimin e një sistemi digjital të menaxhimit të çështjeve dhe në hapat e ardhshëm për zbatimin e tij. 

Lanҫimi shënon fillimin e një partneriteti të rëndësishëm, me synimin për të ndërtuar një sistem drejtësie të qëndrueshëm, modern dhe të orientuar drejt përdoruesit në Shqipëri, duke u sjellë përfitime, në fund të fundit, qytetarëve në Shqipëri që mbështeten te drejtësia kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore.

*Të gjitha referencat ndaj Kosovës, qoftë ndaj territorit, institucioneve apo popullsisë, kuptohen në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe pa paragjykuar statusin e Kosovës.

Tiranë, Shqipëri 24 shtator 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail