Takimi i dytë i Komitetit Drejtues të Projektit të Përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës Mbështetje për Ciklin Zgjedhor në Shqipëri mblodhi përfaqësues të Këshillit të Evropës, Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Divizionit për Bashkëpunimin Parlamentar dhe Zgjedhor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përfaqësues të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës morën pjesë si vëzhgues.
Pjesëmarrësit shqyrtuan ecurinë e zbatimit të projektit gjatë vitit të parë dhe diskutuan përparësitë për fazën e ardhshme, përfshirë përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Në fokus të diskutimeve ishin disa fusha kryesore të mbështetjes, përfshirë dhënien e shtatë granteve për organizatat e shoqërisë civile dhe medias, me synim forcimin e transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies në proceset zgjedhore. Gjithashtu, pjesëmarrësit diskutuan mbi vlerësimin e kuadrit rregullator të KQZ-së për përdorimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit në zgjedhje, i cili do të japë rekomandime për përmirësime të mëtejshme, si dhe zhvillimin e një platforme konsultimi elektronik për të mundësuar dialog të strukturuar ndërmjet KQZ-së, shoqërisë civile dhe medias. Në vijim, projekti do të mbështesë më tej profesionalizimin e administratës zgjedhore përmes zhvillimit të kapaciteteve për trajnim dhe edukim, hartimit të metodologjive të trajnimit sipas nevojave specifike dhe moduleve elektronike, krahas nismave që nxisin edukimin e votuesve dhe pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse.
Këto aktivitete do të realizohen në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe aktorë të tjerë, duke iu përgjigjur prioriteteve të ciklit zgjedhor.
Projekti Mbështetje për Ciklin Zgjedhor në Shqipëri bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe zbatohet nga Këshilli i Evropës.


