Këshilli i Evropës, në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike (DAP), ka përfunduar me sukses një seri të trajnimesh rajonale të fokusuara në përmirësimin e instrumenteve të menaxhimit të burimeve njerëzore në administratën publike shqiptare. Sesionet u përqendruan në dy sistemet kryesore: Platforma e Bashkëpunimit (CoLab) dhe Sistemi Informatik i Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (HRMIS), të cilat janë kyç për përmirësimin e praktikave të menaxhimit të Burimeve Njerëzore (BNJ) në nivel vendor.
Të zhvilluara në katër qytete - Vlorë, Tiranë, Shkodër dhe Pogradec - sesionet mblodhën përfaqësues të burimeve njerëzore nga të 61 bashkitë e Shqipërisë. Qëllimi i këtyre sesioneve ishte sjellja e mbështetjes më pranë Njësive të Vetëqeverisjes Vendore (NJVV) dhe të nxitja e angazhimit të drejtpërdrejtë ndërmjet stafit vendor të burimeve njerëzore dhe ekspertëve që po punojnë për forcimin e sistemeve të BNJ në vend.
Gjatë ketyre seancave, pjesëmarrësit patëm mundësinë të shohin demonstrime praktike të sistemeve dhe të marrin udhëzime nga përfaqësues të DAP dhe ekspertë të Këshillit të Evropës. Sesionet u përqendruan në funksionalitetet e përditësuara të platformave CoLab dhe HRMIS, si dhe në ofrimin e këshillave praktike për mënyrën se si stafi vendor mund të shfrytëzojë këto instrumente në punën e tyre të përditshme për të përmirësuar menaxhimin e burimeve njerëzore.
Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve më të gjera për modernizimin e administratës publike dhe përmirësimin e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve publike në të gjithë Shqipërinë. Duke rritur përdorimin e mjeteve digjitale në nivel vendor, këto sesione luajnë një rol kyç në përmirësimin e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe promovimin e transparencës në bashkitë shqiptare.
Sesionet rajonale u organizuan në kuadër të projektit “Mbështetja e Reformës së Administratës Publike në Nivel Vendor në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Qendra e Ekspertizës për Qeverisjen në Shumë Nivele, pranë Kongresit të Pushteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Projekti financohet nga Republika Federale e Gjermanisë, duke treguar një angazhim të vazhdueshëm për forcimin e reformave në administratën publike në Shqipëri.
