Back Prezantimi i projektit të ri të BE-së dhe Këshillit të Evropës për mbështetjen e ciklit të procesit zgjedhor në Shqipëri

Prezantimi i projektit të ri të BE-së dhe Këshillit të Evropës për mbështetjen e ciklit të procesit zgjedhor në Shqipëri

Këshilli i Evropës prezantoi zyrtarisht projektin e ri Mbështetje për Ciklin Zgjedhor në Shqipëri (SECA), të bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian.

Prezantimi, i organizuar në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mblodhi së bashku përfaqësues të nivelit të lartë të institucioneve publike, trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare, ekspertëve, shoqërisë civile dhe medias. Ata ofruan diskutime të vlefshme mbi sfidat kryesore që prekin procesin zgjedhor dhe ri-konfirmuan angazhimin e përbashkët për zgjedhje gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe transparente.

Takimi u përshëndet nga fjalët e Ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato; Ilirjan Celibashi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve; Liri Kopaçi-Di Michele, Drejtuesja e Divizionit për Zgjedhje dhe Bashkëpunimin Parlamentar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, dhe Giulia Re, Shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë. Mesazhet kryesore theksuan se reforma e ardhshme zgjedhore në Shqipëri përbën një mundësi thelbësore për të forcuar profesionalizmin, paanshmërinë dhe qëndrueshmërinë e administratës zgjedhor – një proces thelbësor në avancimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Projekti SECA fokusohet në forcimin e pavarësisë dhe kapaciteteve institucionale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si dhe në promovimin e pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse të organizatave të shoqërisë civile dhe medias në proceset zgjedhore. Nisma synon të integrojë praktikat e qëndrueshme në administrimin zgjedhor dhe të forcojë profesionalizmin dhe paanshmërinë e administratës zgjedhor. Duke vendosur një dialog të strukturuar midis KQZ-së dhe organizatave të shoqërisë civile, SECA synon të rrisë besimin e publikut ndaj procesit zgjedhor, institucioneve dhe legjitimitetit të tyre.

I bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, projekti SECA zbatohet nga Këshilli i Evropës, nën mbikëqyrjen e Asamblesë së tij Parlamentare. Projekti do të zgjasë 36 muaj, nga korriku 2025 deri në korrik 2028.

Tiranë, Shqipëri 13 Nëntor 2025
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page