Këshilli i Europës prezantoi projektin e ri Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit shqiptar për zbatimin më të mirë të standardeve mbi të drejtën për liri dhe siguri.
Prezantimi mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve të pavarura të drejtësisë, autoriteteve qeveritare, gjyqtarë e prokurorë, shoqërinë civile dhe akademinë. Takimi shërbeu si një forum i vlefshëm për të diskutuar dhe reflektuar mbi përdorimin e paraburgimit dhe masave alternative në Shqipëri. Mesazhet kryesore theksuan rëndësinë e një sistemi të drejtësisë penale të bazuar në të drejtat e njeriut, duke synuar masa më pak kufizuese dhe më shumë alternativa ndaj paraburgimit, duke evidentuar njëkohësisht nevojën për përpjekje të përbashkëta në arritjen e këtij qëllimi.
Një nga momentet kryesore të aktivitetit ishte edhe prezantimi i jurisprudencës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut mbi të drejtën për liri dhe siguri, nga një jurist i Gjykatës Europiane, i ftuar në event.
Projekti synon të forcojë mbrojtjen e të drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri duke promovuar alternativa ndaj paraburgimit dhe duke reduktuar përdorimin e paraburgimit, në përputhje me standardet europiane dhe ndërkombëtare.
Projekti do të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare, gjyqësorin, shoqërinë civile, akademinë dhe profesionistët e drejtësisë për të: (i) përmirësuar kuadrin ligjor; (ii) rritur kapacitetet e magjistratëve dhe profesionistëve të tjerë të drejtësisë; (iii) promovuar alternativa ndaj paraburgimit; dhe (iv) rritur ndërgjegjësimin tek studentët e drejtësisë.
Projekti do të zbatohet për një periudhë dyvjeçare, deri më 31 maj 2027, dhe financohet nga Fondi i Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut (HRTF)[1]i Këshillit të Europës.
[1] Fondi I Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut (HRTF), që përbëhet nga Finlanda, Gjermania, Irlanda, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar


