Back Këshilli i Evropës mbështet digjitalizimin e Vlerësimit të Nevojave për Trajnim në administratën publike shqiptare

Këshilli i Evropës mbështet digjitalizimin e Vlerësimit të Nevojave për Trajnim në administratën publike shqiptare

Një hap i rëndësishëm u ndërmor sot në drejtim të modernizimit të administratës publike në Shqipëri, përmes prezantimit për institucionet publike në nivel qendror, përfshirë ministritë e linjës dhe institucionet e pavarura, të mjetit digjital për Vlerësimin e Nevojave për Trajnim (VNT).

Ky mjet digjital, tashmë i përmirësuar me mbështetjen e Këshillit të Evropës, synon të lehtësojë dhe standardizojë procesin e identifikimit të nevojave për trajnim në të gjithë sektorin publik. Duke mundësuar mbledhjen më të saktë dhe më efikase të të dhënave, ai mbështet planifikimin e bazuar në të dhëna të programeve të trajnimit, të cilat reflektojnë nevojat reale të nëpunësve civilë.

Qëllimi është të promovohet një metodologji e bazuar në performancën dhe funksionet institucionale, duke mundësuar mbledhjen e të dhënave të fokusuara të cilat ndihmojnë institucionet publike në kuptimin dhe adresimin më të mirë të nevojave për zhvillim të kapaciteteve.

Në fjalën e tyre, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Giulia Re, dhe Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, theksuan rëndësinë e identifikimit të saktë të nevojave për trajnim, duke nënvizuar se pa këtë proces, përpjekjet për zhvillimin e kapaciteteve nuk mund të jenë të fokusuara, të përshtatshme apo efektive.

Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve më të gjera të Këshillit të Evropës për të forcuar efikasitetin institucional, transparencën dhe përgjegjshmërinë në administratën publike shqiptare, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Aktiviteti u organizua nga Këshilli i Evropës në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, në kuadër të Javës së Administratës Publike (30 qershor – 4 korrik 2025).

Tiranë, Shqipëri 4 korrik 2024
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail