Back Vendimi Unifikues i Gjykatës së Lartë mbi Masat e Sigurimit: Standardet Ndërkombëtare dhe Ndikimi në Nivel Kombëtar

Vendimi Unifikues i Gjykatës së Lartë mbi Masat e Sigurimit: Standardet Ndërkombëtare dhe Ndikimi në Nivel Kombëtar

Gjyqtarë, prokurorë, këshilltarë ligjorë dhe profesionistë të tjerë të së drejtës u mblodhën për të diskutuar vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë mbi zbatimin e masave të sigurimit. Tryeza u zhvillua në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme të Këshillit të Evropës ndaj Shqipërisë, për uljen e përdorimit të paraburgimit dhe promovimin e zbatimit efektiv të masave alternative.

Në fjalën e tij hapëse, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, theksoi frymën e vendimit unifikues: “Në drejtësi, bindjen nuk duhet ta krijojë paragjykimi, por arsyetimi…Arresti në burg nuk duhet të jetë një reagim automatik.” Ai vuri gjithashtu në pah mbështetjen e rëndësishme dhënë nga Këshilli i Evropës për Gjykatën.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, theksoi rëndësinë e garantimit në praktikë të masave alternative ndaj paraburgimit që janë efektive dhe të zbatueshme. Ai njohu rolin e qeverisë në krijimin e kushteve të nevojshme për zbatimin e tyre dhe në forcimin e besimit tek efekasiteti të tyre.

Darian Pavli, gjyqtar i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e mirëpriti vendimin e Gjykatës së Lartë si një hap pozitiv dhe në kohën e duhur drejt një qartësie dhe koherence më të madhe në zbatimin e masave të sigurimit – një çështje që kërkon shqyrtim të vazhdueshëm gjyqësor. Duke iu referuar jurisprudencës së Gjykatës në kuadër të nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ai nënvizoi parimet kryesore që lidhen me mbrojtjen e së drejtës për liri dhe siguri.

Diskutimet u përqendruan në zbatimin në praktikë të masave alternative të sigurimit, si dhe në nevojën për rishikimin dhe, sipas rastit, ndryshimin e kuadrit ligjor. Pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi sfidat me të cilat përballen gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe mbi garantimin që paraburgimi të përdoret vetëm si masë e fundit, në përputhje me parimet e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit. Tryeza forcoi dialogun ndërmjet gjyqësorit, prokurorisë, ekzekutivit dhe profesionistëve të tjerë të së drejtës për zbatimin e qëndrueshëm dhe të bazuar në të drejtat e njeriut të masave të sigurimit në Shqipëri.

Kjo tryezë  u organizua bashkërisht nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë dhe projekti i Këshillit të Evropës Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri, i cili është i financuar nga Fondi i Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut (HRTF), i cili bashkon tetë shtete anëtare të Këshillit të Evropës: Finlandën, Gjermaninë, Irlandën, Luksemburgun, Holandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Tiranë, Shqipëri 18 shtator 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail