Partnerët kryesorë të projektit Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri u mblodhën në Tiranë në takimin e dytë të Komitetit Drejtues, për të shqyrtuar progresin dhe për të hartuar prioritetet e ardhshme.
Ekipi i projektit dha një përmbledhje të arritjeve deri tani, duke përfshirë mbështetjen për rishikimin legjislativ, rritjen e kapaciteteve të magjistratëve dhe profesionistëve të tjerë të drejtësisë, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit te studentët dhe profesionistët e drejtësisë për standardet që lidhen me të drejtën për liri dhe siguri. “Së pari dhe mbi të gjitha, arritja kryesore e projektit në vitin e parë të zbatimit ka qenë hapësira për dialog që ka krijuar brenda sistemit të drejtësisë, institucioneve të pavarura dhe vendimmarrësve, për aplikimin e masave të sigurisë, në veçanti për paraburgimin,” theksoi Giulia Re – Kreu i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë.
Ne vijim, pjesëmarrësit shqyrtuan nismat e ardhshme, të ideuara për të mbështetur aktorët e interesuar, në adresimin e sfidave dhe nxitjen e ndryshimeve sistemike.
Anëtarët e Komitetit Drejtues që përfaqësuan institucione të ndryshme të drejtësisë, u angazhuan në shkëmbime aktive, duke ofruar komente dhe mendime të vlefshme për prioritetet e projektit. Pjesëmarrësit bënë disa sugjerime për të siguruar efektivitetin dhe qëndrueshmërinë e ndërhyrjeve të parashikuara, duke nënvizuar rëndësinë e adresimit të sfidave praktike dhe forcimit të përpjekjeve të vazhdueshme.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit theksuan angazhimin e tyre për të avancuar bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke njohur rëndësinë e tij në përpjekjet për të konsoliduar kapacitetet e gjyqësorit për të mbrojtur të drejtën për liri dhe siguri në Shqipëri.
Projekti financohet nga Fondi i Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut (HRTF), i cili bashkon tetë shtete anëtare të Këshillit të Evropës: Finlandën, Gjermaninë, Irlandën, Luksemburgun, Holandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar.


