Back Fuqizimi i Sigurisë dhe Mbrojtjes në Gjykata në Shqipëri, në përputhje me standardet e CEPEJ-it

Fuqizimi i Sigurisë dhe Mbrojtjes në Gjykata në Shqipëri, në përputhje me standardet e CEPEJ-it

Nga data 9 deri më 13 shkurt, ekspertë të CEPEJ [i] të Këshillit të Evropës vizituan Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe disa gjykata në Shqipëri, në kuadër të projektit të përbashkët të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës SEJIV. Misioni synonte të mbështeste KLGJ-në në rishikimin dhe përmirësimin e standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në gjykata, në përputhje me praktikat më të mira europiane.

Programi nisi me një takim shkëmbimi me stafin e KLGJ-së, duke ofruar mundësinë për të diskutuar me ekspertët e CEPEJ-it standardet e sigurisë dhe mjetet praktike që përdoren për auditimin e sigurisë së ndërtesave të gjykatave. Më pas u zhvilluan vizita të rëndësishme në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës dhe Gjykatën e Lartë. Gjatë këtyre vlerësimeve në terren, ekspertët e Këshillit të Europës dhe profesionistët shqiptarë të drejtësisë shqyrtuan një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë sigurinë e ndërtesave, sigurinë fizike, sistemet IT dhe masat e mbrojtjes kibernetike. Gjetjet iu prezantuan grupit ndërinstitucional të punës të ngritur nga KLGJ, duke paraqitur rekomandime kyçe dhe hapat e mëtejshëm për të forcuar koordinimin, për të përmirësuar standardet e sigurisë dhe për të mbështetur zhvillimin e një qasjeje kombëtare gjithëpërfshirëse për sigurinë në gjykata.

Rezultatet e misionit do të kontribuojnë në përgatitjen e rekomandimeve konkrete për adresimin e sigurisë dhe mbrojtjes në gjykata në Shqipëri. Ky është një hap i rëndësishëm përpara në procesin e zhvillimit të një strategjie kombëtare për sigurinë dhe mbrojtjen në gjykata, në përputhje me standardet evropiane.

Kjo nismë dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të CEPEJ-it dhe autoriteteve publike shqiptare për avancimin e sigurisë në mjediset gjyqësore dhe forcimin e sistemeve të sigurisë digjitale në të gjithë sistemin gjyqësor.

Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit Forcimi i efikasitetit dhe cilësisë së drejtësisë në Shqipëri, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe i zbatuar nga Këshilli i Evropës në kuadër të Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë - Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë.

---

[i] Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ)

 

Tiranë, Shqipëri 16 shkurt 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail