Back Tryeza e dialogut promovon përdorimin më të gjerë të alternativave ndaj paraburgimit në Shqipëri

Tryeza e dialogut promovon përdorimin më të gjerë të alternativave ndaj paraburgimit në Shqipëri

Promovimi i alternativave ndaj paraburgimit ishte në fokus të tryezës së rrumbullakët të organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe Ministrinë e Drejtësisë. Ky event solli së bashku rreth 30 përfaqësues të institucioneve të ndryshme të drejtësisë, përfshirë gjyqtarë, prokurorë, avokatë, përfaqësues të organeve ligjzbatuese, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Shërbimit të Provës.

Tryeza ofroi një platformë për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi përdorimin aktual të arrestit në burg në Shqipëri, diskutimin e sfidave praktike në zbatimin e masave alternative ndaj heqjes së lirisë dhe identifikimin e mundësive për forcimin e përdorimit të tyre në përputhje me standardet evropiane. Në fjalën e saj hapëse, Drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë theksoi se: “Pasojat e përdorimit në tepri të paraburgimit janë të gjera. Kjo prek individët dhe familjet e tyre, ushtron presion shtesë mbi institucionet e vuajtjes së dënimit dhe krijon kosto të konsiderueshme për shtetin. Paraburgimi nuk mund të jetë zgjidhja.”

Diskutimet theksuan rëndësinë e evidentimit se heqja e lirisë para gjykimit të përdoret vetëm kur është e nevojshme dhe proporcionale, ndërsa në rastet individuale të merren në konsideratë alternativa efektive. Pjesëmarrësit në tryezë shqyrtuan çështje praktike që lidhen me vendimmarrjen gjyqësore, vlerësimin e rrezikut, mbikëqyrjen dhe bashkëpunimin ndërmjet gjykatave, prokurorive, shërbimit të provës dhe institucioneve të tjera përkatëse.

Vëmendje e veçantë iu kushtua lidhjes ndërmjet përdorimit të paraburgimit dhe mbipopullimit në burgje. Sipas pjesëmarrësve, kufizimi i paraburgimit të panevojshëm ose të zgjatur dhe përdorimi më i gjerë i masave të përshtatshme alternative ndaj heqjes së lirisë mund të kontribuojnë në uljen e presionit mbi institucionet e vuajtjes së dënimit. Kjo qasje mbështet administrimin më efektiv të drejtësisë dhe respektimin e prezumimit të pafajësisë, siç garantohet nga Neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Shkëmbimi i pikëpamjeve nënvizoi nevojën për një ndryshim në kulturën gjyqësore, zhvillim të vazhdueshëm profesional, arsyetim gjyqësor të qëndrueshëm dhe bashkëpunim më të fortë ndërinstitucional, me qëllim që alternativat ndaj paraburgimit të zbatohen në mënyrë efektive.

Kjo tryezë  u organizua nga projekti i Këshillit të Evropës Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri, dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Projekti është i financuar nga Fondi i Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut (HRTF), i cili bashkon tetë shtete anëtare të Këshillit të Evropës: Finlandën, Gjermaninë, Irlandën, Luksemburgun, Holandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar

Tiranë, Shqipëri 16 shtator 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail