Nisur në dhjetor 2022, projekti Mbështetja e Reformës së Administratës Publike në nivel vendor në Shqipëri, zbatuar nga Këshilli i Europës dhe i financuar nga qeveria gjermane, përfundoi zyrtarisht më 30 qershor 2025.
Në bashkëpunim të ngushtë me partnerë kryesorë, përfshirë Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Ministrin e Shtetit për Pushtetit Vendor, Departamentin e Administratës Publike, Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil dhe Njësitë e VetëQeverisjes Vendore, projekti ka ndihmuar në përafrimin dhe harmonizimin e praktikave, standardeve dhe instrumenteve midis nivelit qendror dhe atij vendor.
Në mbledhjen përmbyllëse të Komitetit Drejtues të mbajtur në Tiranë në qershor, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Giulia Re, dhe Ministri i Shtetit Adea Pirdeni theksuan rëndësinë e vijimit të progresit të arritur gjatë gjithë projektit dhe sigurimit të përfshirjes së rezultateve gradualisht në praktikat institucionale për të mbështetur një reformë afatgjatë dhe domethënëse.
Arritjet kryesore të projektit përfshinin:
- Programi i Akademisë së Lidershipit: Trajnoi mbi 60 kryetarë dhe nënkryetarë bashkish e zyrtarë të lartë në lidership dhe qeverisje përmes 12 sesioneve rajonale.
- Instrumenti digjital i Vlerësimit të Nevojave për Trajnim (VNT): Pilotuar me 13 bashki për të identifikuar nevojat për trajnim bazuar në funksionet reale dhe performancën.
- Mbështetja për Sistemin e Menaxhimit të Mësimit të ASPA-s: Përmirësoi mundësitë e aksesit në e-learning për nëpunësit publikë.
- Mbështetje për Sistemin Informatik të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (HRMIS) dhe Platformën e Bashkëpunimit: Përmes mentorimit, Helpdesk, trajnimeve dhe mbështetjes në vendin e punës për HRMIS, vendosi bazat për një inventar të besueshëm të nëpunësve publikë në nivel vendor.
- Java e Administratës Publike 2024: U prezantuan reforma dhe u krijua një platformë dialogu me publikun
- Vlerësimi i Mjeteve të Pjesëmarrjes Qytetare: Vendosi bazat për një mbështetje të ardhme të përshtatur për bashkitë.
Këshilli i Evropës mbetet i angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt qeverisjes së mirë dhe standardeve evropiane.


