Back Raporterët e AKPE: të kënaqur me verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve; nevojiten hapa të mëtejshëm për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë

Raporterët e AKPE: të kënaqur me verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve; nevojiten hapa të mëtejshëm për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë

Në vijim të një vizite në Tiranë, bashkëraporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (AKPE) për monitorimin e detyrimeve dhe angazhimeve nga Shqipëria, Andrej Hunko (Gjermani, UEL) dhe Joseph O'Reilly (Irlandë, EPP/CD), kanë shprehur kënaqësinë e tyre me procesin e vazhdueshëm të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend. "Fatkeqësisht, numri shumë i lartë i kandidatëve të refuzuar për shkak të pyetjeve në lidhje me standardet e tyre etike dhe origjinën e pasurive të tyre tregon se sa i domosdoshëm është ky proces për krijimin e një gjyqësori të pavarur që është i lirë nga korrupsioni dhe ndikimi i mashtrimit", thanë bashkëraporterët.

Në të njëjtën kohë ata theksuan se "fakti që pothuajse të gjithë kandidatët e refuzuar janë refuzuar mbi bazë të aseteve të dyshimta tregon se sistemi aktual i inspektimeve dhe auditimeve të deklaratave të pasurisë për zyrtarët e nivelit të lartë, përfshirë anëtarët e parlamentit, gjyqtarët dhe prokurorët - që është një instrument kyç për të zbuluar praktikat e korruptuara - nuk funksionon në mënyrën e duhur dhe duhet të përmirësohet".

Bashkëraporterët shprehën shqetësim për faktin se, si rezultat i procesit në vazhdim të vetting-ut, vendi është aktualisht pa një Gjykatë të Lartë dhe Gjykata Kushtetuese funksionale, ndërsa një numër i organeve të rëndësishme gjyqësore si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ashtu si dhe Prokurori i Specializuar për Korrupsionin e Nivelit të Lartë dhe Krimin e Organizuar (SPAK) dhe Gjykata e specializuar e lidhur me të, ende nuk janë themeluar. Ata mirëpritën sigurinë e dhënë nga shumë prej partnerëve përkatës që përparimi në numrin e kandidatëve të verifikuar së shpejti do të lejonte që këto organe të themeloheshin dhe të bëheshin funksionale.

Raporterët theksuan rëndësinë e procesit të verifikimit (vetting-ut ) në luftën kundër korrupsionit, por theksuan se duhet të ndërmerren më shumë hapa dhe që nevojiten përparime të dukshme dhe rezultate konkrete, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. "Në këtë drejtim, pritjet tona në lidhje me SPAK-un janë shumë të larta," thanë ata. Nevoja për një shtytje të përtërirë ishte gjithashtu e qartë nga informacioni që morën se, pavarësisht nga fakti që fluturimet e policisë mbi vend nuk kanë zbuluar pothuajse asnjë fushë të re të kanabisit, sasia e kanabisit nga Shqipëria e kapur në kufijtë grekë dhe italianë ende mbetet shumë e lartë, ndërkohë që ka shenja se Shqipëria është bërë një vend tranzit për barna të forta që vijnë nga Amerika Latine dhe Azia.

Mjedisi politik, bashkëpunimi midis shumicës dhe opozitës, si dhe reformë zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, ishin temat kryesore gjatë diskutimeve me të gjitha forcat politike. Bashkë-raporterët panë se mjedisi politik mbetet i polarizuar dhe konfrontues. Ata theksuan se platforma e duhur për ndërveprim dhe debat politik është parlamenti shqiptar dhe për këtë arsye u bënë thirrje partive opozitare që të mos pengojnë punën e parlamentit ose të bojkotojnë debate dhe vota të rëndësishme.

Në të njëjtën kohë, ata i kërkuan shumicës qeverisëse të jepte hapësirën e duhur për opozitën për të funksionuar dhe për t'u angazhuar në një dialog të sinqertë dhe domethënës me opozitën mbi reformat kyçe dhe qeverisjen e vendit. "Kjo është veçanërisht e rëndësishme për reformën zgjedhore, e cila duhet të bazohet në një konsensus sa më të gjerë, për të siguruar që zgjedhjet vendore në vitin 2019 të pranohen nga të gjitha palët e interesuara si demokratike dhe të ndershme", thanë bashkëraportërët.

 

 

Strazburg 12 shtator 2018
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page