Back Studimi i ri rajonal evidenton përparimin dhe mangësitë në politikat kundër racizmit

Studimi i ri rajonal evidenton përparimin dhe mangësitë në politikat kundër racizmit

Në Ballkanin Perëndimor dhe në rajonin e Partneritetit Lindor janë miratuar ligje dhe politika të rëndësishme për të luftuar racizmin dhe diskriminimin, por zbatimi i tyre në praktikë mbetet një sfidë. Viktimat kanë ende nevojë për mbrojtje më të fortë dhe akses më të lehtë në mjete juridike efektive. Këto janë disa nga gjetjet kryesore të një studimi të ri krahasues mbi luftën kundër racizmit, të publikuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës.

Studimi shqyrton gjendjen aktuale të përpjekjeve kundër racizmit në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë*, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Gjeorgji, Republikën e Moldavisë dhe Ukrainë. Ai evidenton përparim të konsiderueshëm në përpjekjet për të luftuar racizmin dhe intolerancën, ndërsa vë në dukje nevojën që autoritetet publike në vendet përfituese të forcojnë garancitë ligjore dhe institucionale. Studimi rekomandon një koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve dhe aktorëve publikë që punojnë për të luftuar racizmin. Ai nënvizon se mandatet e aktorëve duhet të jenë të qarta dhe se bashkëpunimi ndërmjet aktorëve përkatës vendas duhet të forcohet, për të mbështetur zbatimin më efektiv të politikave kundër racizmit.

Në Shqipëri, studimi evidenton mungesën e një strukture të posaçme koordinuese, të dhënat e kufizuara për barazinë dhe mangësitë në informacionin mbi monitorimin dhe rezultatet e masave kundër racizmit. Ai vëren gjithashtu se financimi i pamjaftueshëm dhe zbatimi jo i plotë kanë ndikuar te planet e veprimit dhe nismat përkatëse.

Ndonëse Shqipëria ka një kuadër të gjerë ligjor dhe institucional kundër racizmit, zbatimi dhe monitorimi mbeten të dobëta. Masat kundër racizmit përqendrohen kryesisht te komunitetet rome dhe egjiptiane, ndërsa racizmit strukturor i kushtohet pak vëmendje. Analiza vë në pah gjithashtu vështirësitë e vazhdueshme në mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave të ndara sipas kategorive për barazinë, në lidhje me diskriminimin racor dhe etnik. Mbledhja e këtyre të dhënave mbetet e kufizuar në disa prej vendeve përfituese, përfshirë Shqipërinë. Pa të dhëna të besueshme, qeveritë nuk mund të hartojnë politika të mbështetura në prova, ndërsa viktimat mund ta kenë më të vështirë të kenë akses në mjetet juridike.

Ligjet dhe institucionet janë vetëm një pjesë e zgjidhjes. Ndërgjegjësimi publik, edukimi dhe pjesëmarrja kuptimplotë e komuniteteve të prekura janë po aq të rëndësishme. Kur shoqëria civile dhe komunitetet e prekura ndihmojnë në hartimin e politikave kundër racizmit, këto politika kanë më shumë gjasa të pasqyrojnë përvojat, përparësitë dhe nevojat e njerëzve. Përparimi në këto fusha mund të forcojë qëndrueshmërinë demokratike, të rrisë kohezionin shoqëror dhe të përmirësojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Proceset e integrimit në BE dhe të zgjerimit ofrojnë një mundësi të rëndësishme për të gjitha vendet përfituese që ta çojnë më tej këtë përparim. Lufta kundër racizmit është e lidhur ngushtë me acquis të BE-së dhe ka rëndësi të veçantë për Kapitullin 23 të negociatave, i cili përqendrohet te gjyqësori dhe të drejtat themelore. Studimi vlerëson se planet gjithëpërfshirëse kundër racizmit, të pajisura me burime të mjaftueshme dhe të hartuara përmes një procesi pjesëmarrës, mund t’i ndihmojnë vendet përfituese në Ballkanin Perëndimor dhe në rajonin e Partneritetit Lindor të përafrohen më shumë me standardet evropiane kundër racizmit dhe, në fund, të ndërtojnë shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe më të barabarta.

Studimi u realizua në kuadër të projektit “ “Promovimi i barazisë dhe luftimi i racizmit dhe intolerancës në Ballkanin Perëndim” dhe projektit “Promovimi i barazisë dhe mosdiskriminimit: drejt shoqërive më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”. Këto janë pjesë, përkatësisht, e programeve të përbashkëta të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” dhe “Partneriteti për Qeverisje të Mirë”.

* Ky emërtim nuk paragjykon qëndrimet për statusin dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 dhe Opinionin e GJND-së për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

22 tetor 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail