Back Fushata kombëtare për vet-identifikimin e pakicave përmbyllet në Korçë

Fushata kombëtare për vet-identifikimin e pakicave përmbyllet në Korçë

Tryeza e tretë dhe e fundit dedikuar promovimit të së drejtës për vet-identifikim si pakicë kombëtare u mbajt në Korçë, duke shënuar përmbylljen e aktiviteteve ndërgjegjësuese të organizuara më herët në Kukës dhe Dropull. Tryeza u organizua nga Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Komitetin për Pakicat Kombëtare, me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian në kuadër të projektit të përbashkët Fuqizimi i mbrojtjes nga diskriminimi në Shqipëri, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri.

Tryeza në Korçë u përqendrua në fuqizimin e procesit të vet-identifikimit, nxitjen e pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse dhe sigurimin që komunitetet të kuptojnë procedurat dhe garancitë ligjore për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Pjesëmarrësit u njohën me udhëzuesin  për organizatat e shoqërisë civile dhe fletëpalosjen informuese të disponueshme në të gjitha gjuhët e pakicave, të hartuara për të mbështetur këtë proces.

Gjatë diskutimeve, kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, theksoi rëndësinë e vet-identifikimit të informuar si një element themelor për mbrojtjen efektive të të drejtave të pakicave, përmirësimin e përfaqësimit dhe hartimin e politikave të bazuara në fakte. Aktiviteti ofroi gjithashtu një forum të hapur për pjesëmarrësit për të ndarë përvoja, për të ngritur pyetje dhe për të shkëmbyer mendime.

Tre tryezat e kësaj nisme ndërgjegjësuese mblodhën rreth 200 pjesëmarrës që përfaqësonin të nëntë pakicat kombëtare të njohura me ligj në Shqipëri: greke, maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare, së bashku me përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile. Kjo nismë shënon një moment të rëndësishëm në forcimin e dialogut me komunitetet lokale dhe sigurimin e një shtrirjeje më të gjerë në të gjitha rajonet e Shqipërisë.

Kjo nismë mbështetet nga projekti Fuqizimi i mbrojtjes nga diskriminimi në Shqipëri, pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri.

Korçë, Shqipëri 31 mars 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail