Gratë dhe vajzat e komunitetit të Shkozës shënuan nisjen e fushatës globale të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, duke mësuar se si e drejta e pronës mbron dinjitetin, sigurinë dhe pavarësinë. Organizuar nga Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS), me mbështetjen e projektit Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri (D-REX III), aktiviteti theksoi se qasja në pronë nuk është vetëm një e drejtë ligjore e grave dhe vajzave shqiptare që i përkasin të gjitha grupeve, por një e drejtë themelore njerëzore, e si e tillë, një burim thelbësor fuqizimi për gratë dhe familjet e tyre.
Në fjalën e saj hapëse, Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, nënvizoi se e drejta e pronës mund të formësojë sigurinë, dinjitetin dhe pavarësinë e një personi. Ajo theksoi se kur gratë mund t'a kuptojnë dhe ushtrojnë më mirë këtë të drejtë, ato forcojnë autonominë e tyre dhe kontribuojnë në komunitete më të qendrueshme. Znj. Re theksoi gjithashtu rëndësinë e mekanizmave praktikë mbështetës, siç është Linja Telefonike e Ndihmës e drejtuar nga TLAS për të drejtën e pronës. Mbështetur nga projekti D-REX III, ky mekanizëm ka ndihmuar tashmë më shumë se një mijë individë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Aktiviteti u përshëndet gjithashtu nga Aldo Aga, Drejtor i Qendrës Komunitare Shkozë, dhe Renata Cenko, Drejtoreshë Ekzekutive e TLAS.
Juristet dhe ekspertet ligjore të TLAS prezantuan në detaje kuadrin ligjor të brendshëm dhe shpjeguan se si qasja e kufizuar në informacion dhe dokumentacion mund t'i ekspozojë gratë ndaj formave ekonomike të dhunës me bazë gjinore. Pjesëmarrësit, përfshirë gra, burra dhe anëtarë të komuniteteve rome dhe egjiptiane, ndanë përvojat e tyre personale në mënyrë interaktive, duke ilustruar sfidat e procedurave të trashëgimisë, dokumentet e paqarta të lidhura me pronësinë dhe mekanizmat e regjistrimit ose kompensimit të pronës. Diskutimi ofroi një mjedis të sigurt për pyetje dhe shkëmbime, dhe shumë pjesëmarrës vunë në dukje se të pasurit mbështetje të besueshme ligjore brenda komuniteteve të tyre do i bënte të drejtat e tyre më të arritshme dhe më të zbatueshme.
Ky aktivitet u organizua nga projekti Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri (D-REX III), në kuadër të programit Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, në bashkëpunim me Shërbimin Ligjor Falas Tiranë (TLAS) dhe Qendrën Komunitare Shkozë.


