Back Prezantohet Platforma për Dialog të Hapur mbi Lirinë e Shprehjes në Shqipëri

Prezantohet Platforma për Dialog të Hapur mbi Lirinë e Shprehjes në Shqipëri

Liria e shprehjes është një shtyllë themelore e çdo shoqërie demokratike dhe një e drejtë që duhet të mbrohet dhe ruhet në mënyrë aktive. Kjo kërkon përpjekje të vazhdueshme, angazhim dhe dialog të hapur ndërmjet aktorëve kryesorë. Në këtë frymë, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës prezantuan projektin Promovimi i Lirisë së Shprehjes në Shqipëri përmes Dialogut të Hapur, në partneritet me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës.

Takimi prezantues, i mbajtur në ambjentet e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, u hap nga Dekani Mark Marku, si koordinator i iniciativës, duke shënuar hapin e parë drejt krijimit të një platforme gjithëpërfshirëse për dialog, që mbledh bashkë institucione publike, profesionistë të mediave, gazetarë, shoqërinë civile, akademinë dhe ekspertë të fushës për të nxitur një mjedis më transparent dhe të përgjegjshëm mediatik në Shqipëri.

Në fjalën e tij hapëse, Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Shqipëri, theksoi: “Ky projekt është një mundësi për një qasje të vërtetë gjithëpërfshirëse të shoqërisë në reformat që Shqipëria duhet të miratojë në sektorin e medias. Të gjithë aktorët përkatës mund të mblidhen për të vendosur për modelin më të mirë që i përshtatet kontekstit shqiptar, duke u mbështetur në praktikat dhe standardet më të mira të shteteve anëtare të Bashkimit Europian. BE është e angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në këtë ushtrim kompleks. Nuk ka rrugë drejt integrimit në BE pa lirinë e shprehjes si një të drejtë themelore në një shoqëri demokratike.”

Duke përshëndetur eventin, Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, nënvizoi: "Takimi i sotëm shënon pikën e nisjes së një dialogu gjithëpërfshirës duke siguruar që peizazhi mediatik të jetë në përputhje me standardet europiane dhe të vazhdojë të mbetet një shtyllë e demokracisë në Shqipëri.”

Elona Bano, Drejtore e Integrimit dhe Negociatave në Ministrinë e Drejtësisë, ofroi më shumë informacion mbi përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për të forcuar lirinë e shprehjes dhe pluralizmin mediatik.

Pjesëmarrësit shqyrtuan metodologjinë e projektit dhe u angazhuan në diskutime për identifikimin e sfidave kyçe, përcaktimin e ndërhyrjeve të synuara dhe strukturimin e grupeve tematike.

Diskutimet me pjesëmarrësit u përqendruan në tre shtyllat kryesore të projektit:

  • Pronësia e mediave dhe gazetaria e pavarur
  • Siguria e gazetarëve dhe shkeljet e lirisë së shtypit
  • Qasja në informacion dhe transparenca institucionale.

Shkëmbimi i pikëpamjeve mes pjesëmarrësve theksoi sfidat me të cilat përballet mjedisi mediatik në Shqipëri, nevojën për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe angazhimeve më të forta institucionale për mbrojtjen e lirisë së medias.

Projekti “Promovimi i Lirisë së Shprehjes në Shqipëri përmes Dialogut të Hapur” finacohet nga Bashkimi Europian dhe bashkëfinancohet dhe zbatohet nga Këshilli i Europës në partneritet me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës. Kjo ndërhyrje ka për qëllim të nxisë një sektor mediatik të qëndrueshëm dhe të pavarur, në përputhje me standardet e Këshillit të Europës dhe me angazhimet e anëtarësimit të vendit në BE.

Tiranë, Shqipëri 31 janar 2025
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail