Krijimi i një procesi dialogu konstruktiv midis autoriteteve publike, organizatave mediatike, gazetarëve dhe shoqërisë civile është thelbësor për të adresuar sfidat thellësisht të ndërlidhura me sigurinë e gazetarëve, pronësinë e medias dhe aksesin në informacion në Shqipëri.
Gjatë periudhës janar-qershor 2025, projekti Promovimi i Lirisë së Shprehjes në Shqipëri Përmes Dialogut të Hapur bëri bashkë aktorë nga media, qeveria dhe shoqëria civile në nëntë takime tematike, ku u diskutuan dhe u propozuan rekomandime konkrete për përmirësimin e mjedisit mediatik në Shqipëri, në përputhje me standardet europiane dhe në mbështetje të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
Bazuar në këto diskutime, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë përgatitën dokumente përmbledhëse dhe rekomandime, të cilat u prezantuan në takimin plenar të nivelit të lartë të projektit, më 30 qershor në Tiranë. Pas prezantimeve, u krijua një hapësirë e gjallë debati me diskutime dhe sugjerime nga pjesëmarrësit, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të rekomandimeve përfundimtare.
Tematikat kryesore mbi të cilat u prezantuan dhe u debatuan rekomandimet përfshijnë: Siguria dhe kushtet e punës së gazetarëve dhe punonjësve të medias; Pluralizmi i medias, pavarësia editoriale dhe reklamat në media; Vetërregullimin e medias; Pavarësia dhe reformimi i Transmetuesit Publik (RTSH); Pavarësia dhe autonomia e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA); Aksesi në informacion.
Seanca plenare u moderua nga Profesor Mark Marku, Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë dhe lehtësues i kësaj iniciative, duke shënuar përfundimin e fazës së parë të zbatimit.
Në fjalën e tij hapëse, Silvio Gonzato, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, theksoi se liria e medias është një element kyç i procesit të antarësimit të Shqipërisë në BE. Ai nënvizoi rëndësinë e forcimit të sigurisë së gazetarëve, rritjes së transparencës në sektorin e medias, harmonizimit të ligjeve për shpifjen me standardet europiane dhe forcimit e aksesit në informacion. Adea Pirdeni, Ministre e Administratës Publike dhe Antikorrupsionit, përsëriti rëndësinë e lirisë së medias sipas Kapitullit 23 të negociatave për antarësim në BE, duke vënë në dukje se procesi i reformave kërkon bashkëpunim të ngushtë me institucionet e pavarura dhe aktorët e shoqërisë civile. Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, përshkroi fushëveprimin e projektit dhe prioritetet e tij për të mbështetur përpjekjet e reformës së medias në Shqipëri.
Seanca plenare u mbyll me një thirrje të fortë për të vazhduar dialogun dhe përpjekjet kolektive për të siguruar që liria e shprehjes të mbetet një gur themeli i zhvillimit demokratik të Shqipërisë.
Projekti Promovimi i Lirisë së Shprehjes në Shqipëri Përmes Dialogut të Hapur (janar 2025 – dhjetor 2026) zbatohet nga Divizioni i Këshillit të Evropës për Bashkëpunim mbi Lirinë e Shprehjes, në partneritet të ngushtë me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës. Projekti bashkëfinancohet nga Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës dhe synon të nxisë një sektor mediatik të qëndrueshëm dhe të pavarur, në përputhje me standardet e Këshillit të Europës dhe duke lehtësuar anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.


