Teksa i afrohemi Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, statistikat kthjelluese na kujtojnë nevojën urgjente për të ndaluar këtë dhunë dhe një traktat historik po rezulton gjithnjë e më i suksesshëm për ta bërë këtë: Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës kundër Grave dhe Dhunës në Familje (e njohur si Konventa e Stambollit).
Këtë vit, ratifikimi i Konventës së Stambollit nga Bashkimi Evropian rriti numrin e palëve dhe dha një mesazh të fuqishëm se dhënia fund e dhunës ndaj grave është një prioritet i përbashkët në të gjithë Evropën.
Ukraina, pavarësisht se u përball me sfidat e tmerrshme të luftës së agresionit, vitin e kaluar ratifikoi traktatin, ashtu si Republika e Moldavisë dhe Mbretëria e Bashkuar.
Kjo konventë historike e Këshillit të Evropës, e cila është gjithashtu e hapur për shtetet joanëtare, ka deri tani 38 palë të cilat janë kanë detyrime nën këtë traktat dhe katër shtyllat kryesore të tij mbështetëse: parandalimi i dhunës, mbrojtja e viktimave, ndjekja penale e autorëve dhe integrimi i politika të mira të bashkërenduara.
Grupi i pavarur i ekspertëve përgjegjës për monitorimin e zbatimit të traktatit (GREVIO) ka gjetur se çdo shtet palë që ka monitoruar ka ndërmarrë hapa praktikë që ndalojnë dhunën ndaj grave dhe luftojnë dhunën në familje.
Siç kanë treguar dhe raportet e GREVIO-s, janë futur masa të reja që ndalojnë autorët të afrohen me viktimat e tyre, duke përfshirë urdhra të rinj ndalimi emergjentë që lejojnë zbatuesit e ligjit të dëbojë përkohësisht autorët e dhunës në familje nga një banesë e përbashkët. Këto raporte janë gjithashtu një burim i paçmuar për Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut gjatë gjykimit të rasteve përkatëse.
Monitorimi ka zbuluar se si po futen gjithnjë e më shumë shërbimet e specializuara mbështetëse, si linjat e specializuara telefonike 24/7, si dhe strehimoret për mbrojtjen e viktimave. Ne mirëpresim ndryshimet në legjislacion në shumë shtete anëtare që bazojnë përkufizimin e përdhunimit në mungesën e pëlqimit të dhënë lirisht. Ky ndryshim tani mundëson ndjekjen penale të rasteve që më parë nuk mund të kriminalizoheshin sipas legjislacionit të mëparshëm.
Viti 2024 do të jetë përkujtimi i 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, i bazuar në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky vit do të shënojë gjithashtu 10-vjetorin e Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje që hyri në fuqi në gusht 2014.
U bëjmë thirrje të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që nuk janë bërë palë akoma, por dhe shteteve të tjera të interesuara jashtë Evropës, që t'i bashkohen traktatit tonë dhe përpjekjeve tona për t'i dhënë fund dhunës ndaj grave. Ndërkohë që është arritur shumë gjatë dhjetë viteve të fundit, në një botë ku 1 në 3 gra ka qenë subjekt i dhunës, duhet të arrijmë akoma më shumë së bashku.


