Praktika gjyqësore shqiptare e periudhës 2022–2026 tregon përparim në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të medias, por zbatimi i standardeve evropiane mbetet i pabarabartë. Vonesat në procedurat gjyqësore dhe paditë potencialisht abuzive (SLAPP) nxjerrin në pah nevojën për garanci më të qëndrueshme dhe efektive. Këto gjetje u prezantuan në kuadër të studimit “Liria e shprehjes në praktikën gjyqësore 2022–2026: Si pasqyrohet jurisprudenca e GJEDNJ-së në vendimet e gjykatave shqiptare”. Aktiviteti mblodhi në Tiranë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, organizatave mediatike dhe shoqërisë civile.
Mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, studimi përditëson kërkimin e mëparshëm që mbulonte periudhën 2016–2021 dhe e zgjeron analizën deri në vitin 2026, duke përfshirë si kampion analitik 333 vendime gjyqësore civile, penale, administrative dhe kushtetuese. Ai trajton një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë shpifjen, mbrojtjen e burimeve gazetareske, lirinë e shprehjes në internet, aksesin në informacion dhe treguesit e mundshëm të padive SLAPP. Përtej shqyrtimit të vendimeve gjyqësore, studimi vlerëson arsyetimin e tyre dhe nëse standardet e zhvilluara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut janë përfshirë në mënyrë thelbësore në praktikën gjyqësore vendase.
Pjesëmarrësit diskutuan gjetjet dhe rekomandimet e studimit, duke identifikuar hapa konkretë për të forcuar zbatimin e qëndrueshëm të standardeve të Konventës në gjykatat shqiptare.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të aksionit Mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe medias në Shqipëri (PRO-FREX), i zbatuar nga Këshilli i Evropës, përmes Divizionit për Bashkëpunim për Lirinë e Shprehjes, , si pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.


