Përfaqësues nga gjyqësori, prokuroria, Avokati i Popullit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Shkolla e Magjistraturës, Kuvendi dhe akademia u mblodhën në një konferencë të nivelit të lartë për të trajtuar sfidat që lidhen me përdorimin disproporcional të paraburgimit në Shqipëri dhe për të eksploruar rrugë drejt reformës.
Në fjalën e tij hapëse, Ministri i Drejtësisë, z. Besfort Lamallari, theksoi se “përdorimi i tepruar i paraburgimit nuk është vetëm një problem statistikor, por një problem thelbësor i të drejtave të njeriut, i prezumimit të pafajësisë dhe i proporcionalitetit të ndërhyrjes së shtetit”.
Shqipëria vazhdon të ketë një nga nivelet më të larta të paraburgimit në Evropë, çka nënvizon nevojën për të reduktuar varësinë nga kjo masë dhe për t’u larguar nga një qasje tepër ndëshkuese. Ligji dhe praktika duhet të harmonizohen më ngushtë me standardet evropiane, përfshirë jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Drejtori i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës, Z. Gianluca Esposito, vlerësoi qasjen transparente të Shqipërisë në adresimin e paraburgimit, veçanërisht në kontekstin e rishikimit të vazhdueshëm të legjislacionit penal. Ai theksoi më tej se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, paraburgimi duhet t’i nënshtrohet një shqyrtimi të rreptë për të garantuar që çdo privim nga liria të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional. Ai nënvizoi se këto garanci mbrojnë prezumimin e pafajësisë, një shtyllë themelore e drejtësisë. Paraburgimi, përfundoi ai, duhet të mbetet një masë si opsion i fundit.
Ekspertët ndërkombëtarë të angazhuar nga Këshilli i Evropës theksuan nevojën për vendosjen e pragjeve të bazuara në llojin e veprës penale për paraburgimin, duke përjashtuar kështu veprat e thjeshta dhe jo të rënda. Ata bënë thirrje për kufizime të rrepta të kohëzgjatjes së paraburgimit dhe për përdorimin e masave alternative efektive.
Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit nënvizuan natyrën sistemike të problemit, duke vënë në dukje sfida si në kuadrin ligjor ashtu edhe në koordinimin institucional.
Ndërsa Shqipëria vijon rishikimin e legjislacionit penal në kuadër të agjendës më të gjerë të një reforme në drejtësi, Këshilli i Evropës shprehu gatishmërinë për të mbështetur këtë proces dhe për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me të gjithë aktorët e përfshirë.
Konferenca u organizua nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me projektin e Këshillit të Evropës Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri. Projekti financohet nga Fondi i Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut (HRTF), i cili bashkon tetë shtete anëtare të Këshillit të Evropës: Finlandën, Gjermaninë, Irlandën, Luksemburgun, Holandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar.


