Udhëzuesi mbi Nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që trajton të drejtën për liri dhe siguri, tani është i përkthyer edhe në gjuhën shqipe, duke zgjeruar aksesin në parimet thelbësore ligjore për profesionistët e drejtësisë në gjithë vendin.
Udhëzuesi ofron një përmbledhje të plotë të parimeve kryesore të zhvilluara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut sa i përket së drejtës për liri dhe siguri, duke përfshirë bazat ligjore për privimin nga liria, kërkesat për proces të rregullt dhe garancitë procedurale për personat e privuar nga liria. Ai përshkruan kushtet në të cilat një individ mund të privohet nga liria, nevojën për mbikëqyrje të menjëhershme gjyqësore, dhe të drejtën për të kundërshtuar ligjshmërinë e ndalimit. Udhëzuesi gjithashtu shpjegon dallimet midis llojeve të ndryshme të ndalimeve dhe nënvizon rëndësinë e mbrojtjes së lirive individuale kundër ndërhyrjeve arbitrare nga shteti.
Si një burim i rëndësishëm për profesionistët e drejtësisë shqiptare, Udhëzuesi do t’i ndihmojë ata në zbatimin e proҫedurave të ndalimit të drejtë dhe në mbrojtjen e lirive individuale, në përputhje me standardet evropiane. Ai ofron mjete praktike dhe të aksesueshme që synojnë të përmirësojnë sigurinë juridike, të mbështesin kuptimin dhe zbatimin e Nenit 5, si dhe të promovojnë vendime më të informuara gjyqësore, duke kontribuar përfundimisht në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Projekti Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri, është i financuar nga Fondi i Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut (HRTF), i cili bashkon tetë shtete anëtare të Këshillit të Evropës: Finlandën, Gjermaninë, Irlandën, Luksemburgun, Holandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Versioni shqip i Udhëzuesit mbi Nenin 5 të KEDNJ-së (shkarko).


