Parimet e së drejtës për liri në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (Gjykata) dhe neni 5 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ishin në fokus të trajnimit të organizuar në Tiranë nga projekti Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës.
Kjo nismë pati një qasje gjithëpërfshirëse duke ndërthurur ekspertizën ndërkombëtare me praktikën vendase. Ajo u mundësoi gjyqtarëve dhe prokurorëve të konsolidojnë njohuritë e tyre mbi standardet e Gjykatës lidhur me zbatimin e nenit 5 brenda jurisprudencës dhe kuadrit ligjor shqiptar.
Pjesëmarrësit ranë dakord se udhëzimet e qarta të bazuara në jurisprudencën e konsoliduar të Gjykatës janë thelbësore për interpretimin e nuancave të rregullave procedurale te legjislacionit te brendshem. Grupi shqyrtoi vendime kyçe të Gjykatës, përfshirë edhe çështje kundër Shqipërisë të lidhura me nenin 5. Ata analizuan gjithashtu praktikën gjyqësore kombetare për masat e sigurisë, veçanërisht paraburgimin. Ky kombinim i analizës teorike dhe asaj praktike do të mbështesë një qasje më të orientuar drejt rezultateve në zbatimin e paraburgimit dhe masave alternative në të ardhmen.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri, i financuar nga Fondi i Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut (HRTF).


