Back ECRI bën thirrje për veprime më të forta kundër gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit në Shqipëri

ECRI bën thirrje për veprime më të forta kundër gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit në Shqipëri

Komisioni Evropian Kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) i Këshillit të Evropës publikoi sot raportin e tij të shtatë të ciklit të monitorimit për Shqipërinë, të përgatitur pas një vizite në vend nga 16 deri më 20 qershor 2025.

Raporti njeh disa hapa pozitivë të ndërmarrë nga autoritetet, përfshirë rolin aktiv të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) në adresimin e gjuhës së urrejtjes kundër komuniteteve rome dhe egjiptiane, si dhe kundër personave LGBTI, punën e Aleancës Kundër Gjuhës së Urrejtjes dhe trajnimin e gjerë mbi krimet e urrejtjes të ofruar për oficerët e policisë dhe profesionistët e drejtësisë penale.

Në fushën e arsimit, ECRI vë në dukje miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit Kundër Dhunës dhe Bullizmit 2025–2028, rritjen e stafit mbështetës në shkolla dhe masa të tilla si librat falas, transporti dhe bursa për nxënësit romë dhe egjiptianë. Gjithashtu vërehen shembuj pozitivë të shkollimit të integruar dhe të përmirësimit të aksesit në kujdesin shëndetësor për nënat rome dhe egjiptiane, së bashku me progresin drejt një protokolli mjekësor për personat transgjinorë.

Megjithatë, ECRI vëren se gjuha e urrejtjes raciste dhe homofobike ndaj LGBTI, veçanërisht online dhe në mediat sociale, mbetet një çështje serioze, ndërsa krimet e urrejtjes vazhdojnë të mos raportohen sa duhet. Po ashtu, thekson nevojën për trajnime të mëtejshme për zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe aktorët gjyqësorë, ndërsa politikat kundër bullizmit ende nuk adresojnë në mënyrë të përshtatshme vulnerabilitetet specifike të fëmijëve romë, egjiptianë dhe LGBTI.

ECRI më tej vëren se normat e përfundimit të shkollës mes fëmijëve romë dhe egjiptianë mbeten ndjeshëm më të ulëta se mesatarja kombëtare dhe se ndarja de facto në shkolla vazhdon të ekzistojë në disa zona. Gjithashtu thekson problemet e vazhdueshme lidhur me kushtet e dobëta të banimit që prekin komunitetet rome, pengesat me të cilat përballen romët dhe egjiptianët në aksesimin e platformës digjitale të shërbimeve publike "E-Albania", dhe raportimet e diskriminimit ndaj personave LGBTI në kujdesin shëndetësor.

ECRI bën një sërë rekomandimesh për autoritetet shqiptare dhe identifikon dy rekomandime për zbatim me përparësi. Së pari, ajo i bën thirrje autoriteteve që t'i sigurojnë policisë dhe prokurorisë shërbime me burimet e duhura njerëzore, teknike dhe financiare të nevojshme për të hetuar dhe ndjekur penalisht në mënyrë efektive krimet e urrejtjes raciste dhe anti-LGBTI, përfshirë përmes trajnimeve të intensifikuara dhe aktiviteteve për rritjen e kapaciteteve në bashkëpunim me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Së dyti, ECRI i bën thirrje autoriteteve të rrisin regjistrimin dhe frekuentimin në parashkollor dhe shkollë për fëmijët romë dhe egjiptianë, të ulin shkallën e braktisjes së shkollës dhe të përmirësojnë përfundimin e shkollës së mesme, veçanërisht duke rritur ndjeshëm numrin e mediatorëve e arsimorë romë dhe egjiptianë dhe duke zhvilluar aktivitete për rritjen e ndërgjegjësimit me familjet dhe shkollat.

ECRI kërkon që këto dy rekomandime të zbatohen brenda 18 muajve pas publikimit të raportit. Më pas do të kryhet një proces i ndërmjetëm ndjekjeje për të vlerësuar masat e marra nga autoritetet.

 

Versioni shqip i raportit

ECRI dhe Shqipëria

 

***

ECRI  është një organ unik monitorimi të të drejtave të njeriut i Këshillit të Evropës, i përbërë nga ekspertë të pavarur, i cili specializohet në çështje që lidhen me luftën kundër racizmit, diskriminimit (në bazë të "racës", origjinës etnike/kombëtare, ngjyrës, shtetësisë, fesë, gjuhës, orientimit seksual dhe identitetit gjinor), ksenofobisë, antisemitizmit dhe intolerancës në Evropë; ai përgatit raporte dhe jep rekomandime për shtetet anëtare.

 

Kontakt për shtyp

Dušan Vojnović, Oficer për Media dhe Komunikim, Tel +33 3 90 21 56 99

 

Këshilli i Evropës, Departamenti i Medias

Tel. +33 (0)3 88 41 25 60 - www.coe.int - [email protected]

Strasburg, Francë 17 qershor 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail