Back GRECO paralajmëron për rreziqet e korrupsionit lidhur me pandeminë COVID-1

GRECO paralajmëron për rreziqet e korrupsionit lidhur me pandeminë COVID-1

Grupi i Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit (GRECO) ka publikuar udhëzime drejtuar 50 shteteve të tij anëtare që synojnë parandalimin e korrupsionit në kontekstin e urgjencës shëndetësore të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Udhëzimet, të nxjerra nga presidenti i GRECO-s, Marin Mrčela nënvizojnë se përhapja e COVID-19 rrit rreziqet e korrupsionit, sektori i shëndetësisë ekspozohet, veçanërisht për shkak të rritjeve në nevojën e menjëhershme të furnizimeve mjekësore dhe thjeshtësimit të rregullave të prokurimit, të mbipopullimit të ambienteve mjekësore dhe mbingarkimit të personelit mjekësor.

“Ndërsa vendet përballen me emergjenca të pamohueshme, përqendrimin e pushteteve, shmangiet nga të drejtat dhe liritë themelore, dhe ndërsa sasi të mëdha parash injektohen në ekonomi për të lehtësuar krizën (tani dhe në të ardhmen e afërt), rreziqet e korrupsionit nuk duhet të nënvlerësohen” tha Presidenti i GRECO-s. “Vendimet në lidhje me masat e autoriteteve qendrore, rajonale dhe lokale për të përballuar pandeminë duhet të jenë transparente dhe t'i nënshtrohen mbikëqyrjes dhe përgjegjësisë. Sinjalizuesit në sektorin e shëndetsisë duhet të mbrohen", shtoi ai.

Presidenti i GRECO-s gjithashtu kujtoi se transparenca në sektorin publik është një nga mjetet më të rëndësishme për parandalimin e korrupsionit, çfarëdo forme që të marrë.

“Nevoja për informacion të rregullt dhe të besueshëm nga institucionet publike është thelbësore në raste emergjente. Kjo ka të bëjë me përhapjen dhe rreziqet e pandemisë si të tillë, por edhe masave urgjente të marra në përgjigje të tyre. Ne nuk duhet të lejojmë që COVID-19 të komprometojë vlerat dhe standardet tona, duke përfshirë transparencën dhe përgjegjshmërinë. Platformat digjitale të informacionit, siç janë portalet e dedikuara për transparencë, janë mjete të vlefshme për parandalimin e korrupsionit dhe instrument për të mbrojtur sundimin e ligjit”, tha ai.

Praktikat korruptive mund të ndikojnë në sektorin publik ose privat, dhe të jenë të lidhura me sistemin e prokurimit, korrupsionin në shërbimet që lidhen me mjekësinë, korrupsionin në kërkimin dhe zhvillimin e produkteve të reja (R&D), përfshirë konfliktin e interesit dhe rolin e lobimit, dhe mashtrimi në lidhje me COVID-19 me tregtimin e produkteve mjekësore të falsifikuara, ndër të tjera rreziqe.


Udhëzime: Rreziqet e korrupsionit dhe referencat e dobishme ligjore në kontekstin e COVID-19

headline Strazburg 24 prill 2020
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page