Këshilli i Evropës, në bashkëpunim me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), organizoi një tryezë diskutimi me biznese dhe shoqata biznesi mbi sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.
Fokusi i takimit ishte zbatimi në sektorin privat i Ligjit të ri “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” dhe akteve nënligjore përkatëse në Shqipëri. Duke ulur pragun për bizneset që kanë detyrimin të krijojnë njësi përgjegjëse për mbrojtjen e sinjalizuesve, ligji përfshin një gamë më të gjerë kompanish në kuadër të këtyre detyrimeve.
Tryeza ofroi një mundësi për dialog të drejtpërdrejtë ndërmjet ILDKPKI-së dhe përfaqësuesve të sektorit privat mbi zbatimin e kuadrit të ri ligjor, duke përfshirë kanalet e besueshme të raportimit, garancitë e konfidencialitetit, mbrojtjen nga hakmarrja dhe rolin e njësive përgjegjëse.
Në fjalën e saj, Giulia Re, kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, theksoi se puna nuk mbaron me miratimin e ligjeve: zbatimi efektiv kërkon kanale raportimi të besueshme dhe të aksesueshme, njësi përgjegjëse me kapacitetet e nevojshme dhe garanci kuptimplota kundër hakmarrjes.
Ky takim ishte i pari i një serie takimesh ndërgjegjësuese që Këshilli i Evropës do të organizojë në bashkëpunim me ILDKPKI-në, për të ndihmuar bizneset në të gjithë Shqipërinë të kuptojnë dhe të zbatojnë përgjegjësitë që rrjedhin nga kuadri i ri ligjor.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit Forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit publik ndaj korrupsionit, i bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Këshilli i Evropës, dhe i implementuar nga Këshilli i Evropës.


