Së bashku me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe institucionet përfituese, zhvilluam takimin e dytë të Komitetit Drejtues të projektit Forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit publik ndaj korrupsionit, për të shqyrtuar progresin e arritur gjatë gjashtë muajve të fundit dhe për të diskutuar prioritetet për periudhën e ardhshme të zbatimit të projektit.
Diskutimet u përqendruan në mbështetjen që projekti po ofron në fusha kyçe, si rregullimi i lobimit, mbrojtja e sinjalizuesve, forcimi i integritetit në nivel vendor, si dhe rikuperimi dhe administrimi i aseteve, duke përcaktuar njëkohësisht hapat e ardhshëm për gjysmën e dytë të vitit.
Në fjalën e tyre hapëse, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Giulia Re, dhe Shefja e Sektorit të Qeverisjes dhe Shëndetësisë në Ambasadën Zvicerane, Sabine Piccard, theksuan rëndësinë jo vetëm të krijimit të një kuadri ligjor gjithëpërfshirës, por edhe të garantimit që institucionet të kenë ndërgjegjësimin, kapacitetet dhe mjetet praktike të nevojshme për zbatimin efektiv të legjislacionit.
Përfaqësues të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsioni, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ministrisë për Punët e Brendshme, Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Zyrës së Rikuperimit të Aseteve, si dhe institucioneve të tjera përfituese, mirëpritën progresin e arritur deri më tani dhe rikonfirmuan angazhimin e tyre për avancimin e reformave kundër korrupsionit në Shqipëri.
Projekti Forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit publik ndaj korrupsionit bashkëfinancohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Këshilli i Evropës, dhe zbatohet nga Këshilli i Evropës.


