Këshilli i Evropës, në bashkëpunim me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, prezantoi “Guidën mbi të Drejtën për Liri në Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare”. I hartuar si një burim analitik dhe praktik për profesionistët e fushës së drejtësisë në Shqipëri, Guida ofron një analizë të thelluar të 17 vendimeve kyçe të Gjykatës Kushtetuese. Ai shpjegon faktet, pretendimet e palëve dhe arsyetimin kushtetues në secilin rast, duke ndihmuar profesionistët të kuptojnë dhe të zbatojnë më mirë interpretimin e Gjykatës lidhur me këtë të drejtë themelore.
Aktiviteti mblodhi së bashku përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Zëvendësprokurorin e Përgjithshëm, gjyqtarë, prokurorë, këshilltarë ligjorë pranë Gjykatës Kushtetuese, si dhe profesionistë të tjerë të shquar të së drejtës. Pjesëmarrësit e vlerësuan Guidën si një burim të dobishëm dhe të rëndësishëm për punën e tyre të përditshme.
Gjatë takimit u mbajt një prezantim nga një gjyqtar i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, i cili shtjelloi parimet kryesore mbi të drejtën për liri, sipas Nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke u mbështetur në praktikën gjyqësore të kësaj Gjykate. Prezantimi nxiti diskutime të gjalla dhe shkëmbime idesh mbi mënyrën e zbatimit të këtyre standardeve në praktikë.
Ky aktivitet u organizua nga projekti i Këshillit të Evropës “Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri”, i cili është i financuar nga Fondi i Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut (HRTF), i cili bashkon tetë shtete anëtare të Këshillit të Evropës: Finlandën, Gjermaninë, Irlandën, Luksemburgun, Holandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Guida mbi të Drejtën për Liri në Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare (Shkarko).


