Back Rregulla të qarta, më shumë transparencë: Shqipëria avancon reformën për lobimin

Rregulla të qarta, më shumë transparencë: Shqipëria avancon reformën për lobimin

Këshilli i Evropës, së bashku me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, organizoi një aktivitet për prezantimin e akteve nënligjore zbatuese të Ligjit për Lobimin në Shqipëri dhe diskutimin e hapave të mëtejshëm për zbatimin e tyre efektiv.

Aktiviteti, i cili mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, sektorit privat dhe palëve të tjera të interesuara, u përshëndet nga Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, dhe Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, znj. Siri Walt.

Aktet e reja nënligjore plotësojnë kuadrin ligjor për lobimin në Shqipëri, një risi për vendin. Ato përcaktojnë rregullat për regjistrin e ardhshëm të lobimit, procedurat e regjistrimit, deklarimin e veprimtarive të lobimit, verifikimin, masat kundër konfliktit të interesit, rritjen e ndërgjegjësimit dhe ruajtjen e dokumentacionit.

Ky kuadër do t’i ndihmojë zyrtarët publikë dhe lobistët të kuptojnë më mirë përgjegjësitë e tyre, si dhe do t’i mundësojë publikut të ketë qasje në informacionin përkatës mbi veprimtaritë e lobimit.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Giulia Re, theksoi se prioriteti tashmë është zbatimi efektiv i kuadrit të ri. Kjo kërkon rritje të ndërgjegjësimit, udhëzime praktike dhe ngritje kapacitetesh për personat përgjegjës për zbatimin e rregullave, si dhe zhvillimin e një regjistri digjital të lobimit për të mbështetur transparencën dhe mbikëqyrjen.

Këshilli i Evropës do të vijojë mbështetjen për autoritetet shqiptare përmes projektit Forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit publik ndaj korrupsionit, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Këshilli i Evropës, dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës.

Tiranë, Shqipëri 15 shtator 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail