Me nisjen e fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, 65 prokurorë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmirësuan kapacitetet e tyre për të parandaluar, hetuar dhe gjykuar veprat penale në fushën e zgjedhjeve. Duke njohur rëndësinë thelbësore të ruajtjes së integritetit zgjedhor dhe mbrojtjes së demokracisë, kjo nismë synoi të pajisë profesionistët e ligjit me njohuri të legjislacionit dhe praktikave ndërkombëtare dhe vendase, mbi sfidat që paraqesin veprat penale në fushën e zgjedhjeve dhe financimit të partive politike.
Ky aktivitet dyditor u mbështet nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës, dhe synoi kryesisht trajnimin e njësive të posaçme të sapokrijuara për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore.
Trajnimi mbuloi fusha të ndryshme me rëndësi, duke u fokusuar në tipologjitë e veprave penale që lidhen me financimin politik dhe atë të zgjedhjeve, mënyrat për të zbuluar dhe hetuar financime të paligjshme të fushatës zgjedhore si dhe për të identifikuar sinjalet paralajmëruese në raportet financiare të partive politike. Ekspertë me përvojë nga Këshilli i Evropës dhe Shkolla e Magjistraturës ofruan mjete praktike dhe teknika hetimi, duke u bazuar si në shembuj nga praktika evropiane, ashtu edhe në studime të rasteve shqiptare. Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si organ mbikëqyrës, për të siguruar identifikimin, hetimin dhe gjykimin proaktiv, transparent dhe në kohë, të krimeve zgjedhore.
Kjo iniciativë përfaqëson një hap të rëndësishëm për të garantuar që zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 të karakterizohen nga integriteti, drejtësia dhe transparenca.
Ky aktivitet u organizua nga Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, si pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.


