Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës po asiston shërbimin penitenciar shqiptar për të përmirësuar më tej trajtimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve, duke zhvilluar një udhëzim të unifikuar lidhur me ndërhyrjen e stafit penitenciar ndaj incidenteve që përfshijnë të dënuarit me çrregullime të shëndetit mendor.
Në këtë kontekst, drafti i parë i Protokollit të Incidenteve është zhvilluar dhe ndarë me autoritetet penitenciare në Shqipëri dhe është diskutuar dhe përmirësuar më tej gjatë takimit të grupit të punës i cili u mbajt më 3 dhe 4 korrik në Tiranë, mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës. Grupi i punës multi-disiplinar mblodhi 17 përfaqësues të stafit penitenciar, përbërë nga mjekë, psikologë dhe staf i policisë së burgjeve, të cilët ofruan komentet dhe kontributin e tyre në përshtatjen e dispozitave të protokollit në kontekstin shqiptar, duke inkorporuar standardet e Këshillit të Evropës.
Ky Protokoll do të qëndrojë si një Shtojcë e Procedurave Standarde Operacionale për të dënuarit me çrregullime të shëndetit mendor, të zhvilluara gjatë fazes së dytë të programit për Instrumentin Horizontal dhe do të rregullojë praktikën e ndërhyrjes së parë, mjetet e kufizimit, ndarjen, si dhe trajtimin e vullnetshëm dhe të pavullnetshëm për të dënuarit me çrregullime të shëndetit mendor.
Takimi i grupit të punës u organizua në kuadër të projektit Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të personave të dënuar në Shqipëri, i cili është pjesë e nismës së përbashkët të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2023-2026.


