Back Parlamenti shqiptar mbështetet për përmirësimin e planit të veprimit kundër korrupsionit në përputhje me standardet evropiane

Parlamenti shqiptar mbështetet për përmirësimin e planit të veprimit kundër korrupsionit në përputhje me standardet evropiane

Veprimi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe i Këshillit të Evropës kundër Krimit Ekonomik mbështeti Komisionin e Posaçëm Parlamentar në rishikimin dhe përmirësimin e Planit të Veprimit kundër Korrupsionit, si pjesë e agjendës për thellimin e reformave në fushën e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.

Rishikimi i Planit të Veprimit synoi përmirësimin e këtij të fundit me qëllim adresimin në mënyrë efektive të mangësive dhe sfidave të identifikuara në lidhje me kuadrin ligjor dhe institucional kundër korrupsionit në Shqipëri nga organizatat ndërkombëtare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të akademisë.

Gjetjet dhe rekomandimet kryesore të analizës së kryer u prezantuan dhe diskutuan me përfaqësues të institucioneve shtetërore gjatë takimit të nivelit të lartë parlamentar të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë “Shqipëria 2030 në BE – Rruga e Reformave”, i mbajtur në Tiranë, më 3 prill 2025.

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjørn Berge, mori pjesë në panelin hapës të takimit së bashku me një sërë përfaqësuesish shtetëror të nivelit të lartë, përfshirë Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali. Gjithashtu, Hanne Juncher, Drejtore për Sigurinë, Integritetin dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës përshendeti pjesëmarrësit në tryezën tematike të mbajtur për diskutimin e Planit të Veprimit kundër korrupsionit.

Përfaqësues të nivelit të lartë dhe ekspertë të Këshillit të Evropës theksuan se harmonizimi i mëtejshëm i kuadrit ligjor me standardet evropiane ka një rëndësi thelbësore për të forcuar më shumë përpjekjet e Shqipërisë kundër korrupsionit si dhe për të siguruar një qëndrueshmëri afatgjatë të masave të parashikuara në këtë fushë. Në veçanti, përmirësimi dhe konsolidimi i legjislacionit do të ndihmojë në qartësimin e përgjegjësive ndërmjet autoriteteve kompetente. Ndërkohë që përmirësimi i zbatueshmërisë së tij në praktikë do të sigurohet përmes forcimit të kapaciteteve të institucioneve dhe agjencive publike përmes burimeve të shtuara njerëzore, trajnimit të tyre dhe forcimit të bashkëpunimit ndër-institucional. Qartësimi i roleve mbikëqyrëse i autoriteteve publike dhe monitorimi rigoroz i tyre do të rrisë efikasitetin, përgjegjshmërinë si dhe besimin e publikut në përpjekjet e Shqipërisë kundër korrupsionit.

Asistenca teknike për rishikimin e Planit të Veprimit u ofrua nga Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, si pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.

Tiranë, Shqipëri 3 prill 2025
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail