Magjistratët kandidatë dhe ata në detyrë u mblodhën në Tiranë për lançimin e kursit HELP të Këshillit të Evropës mbi Nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili mbron të drejtën e lirisë dhe sigurisë. I përshtatur me legjislacionin dhe jurisprudencën shqiptare, kursi HELP pasqyron gjithashtu kontekstin ligjor dhe institucional në vend. Sekretariati i HELP prezantoi programin HELP, veçanërisht kontributin e tij të gjatë në Ballkanin Perëndimor.
Pjesëmarrësit mund ta ndjekin kursin online me ritmin e tyre, me mbështetjen e një mentori të përkushtuar, i cili ndihmoi në përshtatjen e kursit në kontekstin shqiptar.
Kursi është i rëndësishëm jo vetëm për magjistratët, por edhe për profesionistë të tjerë ligjorë, puna e të cilëve mund të përfshijë të drejtën e lirisë dhe sigurisë. Neni 5 është një garanci kyçe sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe kursi u ofron pjesëmarrësve një mundësi për të forcuar kuptimin e tyre për këtë fushë të rëndësishme dhe aktuale të ligjit të të drejtave të njeriut.
Duke prezantuar kursin e adaptuar, Këshilli i Evropës dhe Shkolla e Magjistraturës mbështesin të mësuarit e vazhdueshëm mbi standardet evropiane të të drejtave të njeriut në gjyqësorin shqiptar.
Ky aktivitet u organizua bashkërisht nga Shkolla e Magjistratures dhe projekti i Këshillit të Evropës Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri, i cili është i financuar nga Fondi i Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut (HRTF), i cili bashkon tetë shtete anëtare të Këshillit të Evropës: Finlandën, Gjermaninë, Irlandën, Luksemburgun, Holandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar.


