Back Avokatët shqiptarë shqyrtojnë jurisprudencën e Gjykatës Evropiane mbi të drejtën për liri dhe siguri

Avokatët shqiptarë shqyrtojnë jurisprudencën e Gjykatës Evropiane mbi të drejtën për liri dhe siguri

Tridhjetë e dy avokatë shqiptarë tani janë më të informuar për të mbrojtur të drejtën për liri dhe siguri pas një trajnimi mbi Nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën e standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Çështjet kryesore përfshinin arsyetimin gjyqësor, mbrojtjet procedurale, kohëzgjatjen dhe rishikimin periodik të paraburgimit, si dhe alternativat ndaj paraburgimit.

I udhëhequr nga juristë të Regjistrit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, trajnimi shqyrtoi çështjet praktike që lindin në rastet e paraburgimit, duke u mbështetur në përvojën e tyre të punës pranë Gjykatës Evropiane. Ata ofruan udhëzime konkrete për paraqitjen e një kërkese në Gjykatë, duke i ndihmuar pjesëmarrësit të kuptonin më mirë procedurat e Gjykatës.  

Pjesëmarrësit gjithashtu shkëmbyen pikëpamje me juristët e Gjykatës mbi kërkesën për të shteruar mjetet juridike të brendshme dhe hapat e përfshirë në ngritjen e një çështjeje para saj. Ata e përshkruan shkëmbimin si shumë të vlefshëm, duke theksuar njohuritë që fituan lidhur me punën dhe aksesin në Gjykatë.

Ky trajnim u organizua nga projekti i Këshillit të Evropës Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri, në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Projekti financohet nga Fondi i Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut (HRTF), i cili bashkon tetë shtete anëtare të Këshillit të Evropës: Finlandën, Gjermaninë, Irlandën, Luksemburgun, Holandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Tiranë, Shqipëri 27 tetor 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail