Më 9–10 qershor 2026, përfaqësues të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) dhe Zyrës së Rikuperimit të Aseteve (ARO) të Shqipërisë morën pjesë në një vizitë studimore me institucionet franceze. Vizita, e organizuar në kuadër të projekt të Këshillit të Evropës Forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit publik ndaj korrupsionit, i bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe nga Këshilli i Evropës, i ofroi autoriteteve shqiptare njohuri praktike mbi sistemin francez të rikuperimit dhe menaxhimit të aseteve dhe lehtësoi shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira që mund të përshtaten në kontekstin shqiptar.
Gjatë ditës së parë, pjesëmarrësit vizituan Agjencinë Franceze të Menaxhimit dhe Rikuperimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AGRASC), ku eksploruan qasje praktike për menaxhimin e aseteve të luajtshme dhe të paluajtshme, kompanive dhe aseteve virtuale. Diskutimet gjithashtu përfshinë mbledhjen e të dhënave statistikore, strategjitë e komunikimit dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
Delegacioni gjithashtu u takua me përfaqësues të Drejtorisë Kombëtare për Tjetërsimin e Pasurive Shtetërore (Direction Nationale d'interventions Domaniales), ku një vëmendje e veçantë iu kushtua procedurave për menaxhimin dhe shitjen e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara dhe bashkëpunimi me AGRASC.
Në ditën e dytë, pjesëmarrësit vizituan Zyrën e Depozitave dhe Dorëzimeve (Caisse des Dépôts et Consignations), ku mësuan për ruajtjen e fondeve të konfiskuara dhe menaxhimin e aseteve financiare që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
Vizita studimore u mbyll me një takim në Platformën e Identifikimit të Aseteve Kriminale (Criminal Assets Identification Platform – PIAC), ku pjesëmarrësit u njohën me rolin e institucionit në gjurmimin e aseteve kriminale, hetimeve financiare dhe lehtësimin e bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Gjatë vizitës, diskutimet u folkusuan në bashkëpunimin ndërinstitucional përgjatë gjithë zinxhirit të rikuperimit të aseteve dhe në qasjet praktike për menaxhimin efektiv të kategorive të ndryshme të aseteve. Përvoja dhe praktikat e ndara nga homologët francezë do të kontribuojnë në përpjekjet e vazhdueshme për të forcuar më tej kuadrin e rikuperimit dhe menaxhimit të aseteve në Shqipëri, në përputhje me standardet dhe praktikat e mira të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian.
Vizita u organizua në kuadër të projektit Forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit publik ndaj korrupsionit, i bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Këshilli i Evropës, dhe i implementuar nga Këshilli i Evropës.



