Tryeza e zhvilluar në Tiranë mbi rregullimin transparent të lobimit shënoi një hap përpara të rëndësishëm në zhvillimin e një kuadri të plotë ligjor për lobimin në Shqipëri.
Organizuar në kuadër të Veprimit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, në partneritet me Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin, tryeza mblodhi përfaqësues të institucioneve të rëndësishme për të nisur dialogun dhe për të vendosur bazat për një ligj të ri për lobimin. Kjo iniciativë legjislative përbën një nga prioritetet kryesore të Strategjisë ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2024–2030.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësve iu prezantua një analizë e detajuar ligjore bazuar në praktikat më të mira evropiane përsa i takon rregullimit të aktiviteteve lobuese e përgatitur përmes ekspertizës së Këshillit të Evropës. Kjo analizë ofroi rekomandime të personalizuara për të përshtatur legjislacionin e ardhshëm të lobimit me standartet e Këshillit të Evropës dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime konstruktive për të adresuar disa elementë të rëndësishëm të legjislacionit të propozuar, duke përfshirë nevojën për përkufizime të qarta të lobimit, lobistëve dhe proceseve përkatëse, krijimin e një dallimi të qartë midis lobimit legjitim dhe ndikimit të paligjshëm, qartësimin e rolit dhe përgjegjësive të lobistëve dhe zyrtarëve publikë si dhe sigurimin e harmonizimit të këtij projektligji me ligjet e tjera ekzistuese për të lehtësuar zbatimin efektiv të tij në praktikë.
Ky aktivitet përbën një hap thelbësor drejt formalizimit të rregullimit të lobimit në Shqipëri sipas standardeve ndërkombëtare, duke promovuar transparencë dhe përgjegjshmëri më të madhe në procesin e vendimmarrjes publike.
Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri është pjesë e Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë III, një program i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe i Këshillit të Evropës.


