Shqipëria ka nënshkruar së fundmi Konventën e Këshillit të Evropës për Aksesin në Dokumentet Zyrtare (CETS Nr. 205), e njohur ndryshe si Konventa Tromsø, dhe Protokollin që ndryshon Konventën për Mbrojtjen e Individëve në lidhje me Përpunimin Automatik të të Dhënave Personale (CETS Nr. 223).
Dokumenti i parë është instrumenti i parë ligjor ndërkombëtar detyrues që njeh të drejtën e përgjithshme të aksesit në dokumentet zyrtare të zotëruara nga autoritetet publike. Transparenca e autoriteteve publike është një tipar kyç i qeverisjes së mirë dhe një tregues nëse një shoqëri është apo jo vërtet demokratike dhe pluraliste. E drejta e aksesit në dokumentet zyrtare është gjithashtu thelbësore për vetëzhvillimin e njerëzve dhe për ushtrimin e të drejtave themelore të njeriut. Ajo gjithashtu forcon legjitimitetin e autoriteteve publike në sytë e publikut dhe besimin e tij tek ato.
Konventa përcakton standardet minimale që duhen zbatuar në përpunimin e kërkesave për akses në dokumentet zyrtare (format dhe tarifat për aksesin në dokumentet zyrtare), procedurën e rishikimit dhe masat plotësuese dhe ka fleksibilitetin e kërkuar për të lejuar ligjet kombëtare të ndërtojnë këtë themel dhe të sigurojë akses edhe më të madh në dokumentet zyrtare.
Dokumenti i dytë synon të modernizojë dhe përmirësojë Konventën (ETS Nr. 108), duke marrë parasysh sfidat e reja për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin e të dhënave personale, të cilat janë shfaqur që nga miratimi i Konventës në 1980.
Modernizimi i Konventës për Mbrojtjen e Individëve në lidhje me Përpunimin Automatik të të Dhënave Personale, i vetmi traktat ndërkombëtar ligjërisht i detyrueshëm me rëndësi globale në këtë fushë, adreson sfidat ndaj privatësisë që vijnë nga përdorimi i teknologjive të reja të informacionit dhe komunikimit, dhe forcon mekanizmin e konventës për të siguruar zbatimin efektiv të saj.
Protokolli ofron një kuadër ligjor shumëpalësh të fortë dhe fleksibël për të lehtësuar rrjedhën e të dhënave përtej kufijve duke ofruar masa mbrojtëse efektive kur përdoren të dhënat personale.
Disa nga risitë e përfshira në Protokoll janë si më poshtë:
- Zgjerimi i llojeve të të dhënave sensitive, të cilat tani do të përfshijnë të dhëna gjenetike dhe biometrike, anëtarësimin në sindikata dhe origjinën etnike;
- Detyrimi për të deklaruar shkelje të të dhënave;
- Transparencë më e madhe e përpunimit të të dhënave;
- Të drejta të reja për personat në kontekstin algoritmik të vendimmarrjes, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme në lidhje me zhvillimin e inteligjencës artificiale;
- Përgjegjshmëri më e fortë e kontrolluesve të të dhënave;
- Kërkesa që të zbatohet parimi “privacy by design”;
- Zbatimi i parimeve të mbrojtjes së të dhënave në të gjitha aktivitetet e përpunimit, përfshirë për arsye të sigurisë kombëtare, me përjashtime dhe kufizime të mundshme që i nënshtrohen kushteve të përcaktuara nga Konventa, dhe në çdo rast me rishikim dhe mbikëqyrje të pavarur dhe efektive;
- Regjim i qartë i fluksit të të dhënave ndërkufitare;
- Fuqitë e përforcuara dhe pavarësia e autoriteteve për mbrojtjen e të dhënave dhe rritja e bazës ligjore për bashkëpunim ndërkombëtar.


