Back Shqipëri: Monitoruesit e APKE mirëpresin përparimin e shënuar në reforma, bëjnë thirrje për zbatim të qëndrueshëm për të siguruar rezultate të prekshme

Shqipëri: Monitoruesit e APKE mirëpresin përparimin e shënuar në reforma, bëjnë thirrje për zbatim të qëndrueshëm për të siguruar rezultate të prekshme

Në vijim të vizitës së tyre në Tiranë nga data 29 qershor deri më 1 korrik 2022, bashkëraporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për monitorimin e detyrimeve dhe angazhimeve nga Shqipëria, z. Joseph O'Reilly (Irlandë, EPP/CD) dhe z. Asim Mollazada (Azerbajxhan, EC/DA), përshëndetën progresin e shënuar në lidhje me reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, por theksuan nevojën e zbatimit të qëndrueshëm për të prodhuar rezultatet e prekshme që priten nga shoqëria shqiptare.

Bashkëraporterët përshëndetën në mënyrë të veçantë zgjatjen së fundmi të mandatit të organeve për vettingun e gjyqësorit të Shqipërisë, pasi numri i lartë i shkarkimeve nga vetingu nënvizon nevojën e vazhdueshme për këtë procedurë. Ata gjithashtu përshëndetën faktin që organet speciale në luftën kundër korrupsionin dhe krimit të organizuar tashmë janë krijuar plotësisht dhe janë funksionale, gjë që raporterët shpresojnë se tani do të rezultojë në një rritje të dukshme të aktakuzave dhe dënimeve - veçanërisht të nivelit të lartë - për korrupsion. “Fakti që Shqipëria ka ende rezultate shumë të ulëta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International dhe madje ka zbritur në renditje në vitin 2021, tregon qëndrueshmerinë e korrupsionit në Shqipëri dhe nevojën që të gjithë aktorët të shtojnë përpjekjet e tyre në luftën kundër këtij kërcënimi për funksionimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë”, kanë theksuar bashkëraporterët.

Pavarësisht progresit të vazhdueshëm në lidhje me funksionimin e institucioneve demokratike, mjedisi mediatik mbetet një burim shqetësimi për raporterët. Duke përshëndetur garancitë e mazhorancës qeverisëse e cila thekson se nuk synon të ndjekë më paketën e diskutueshme të shpifjes, ata kërkuan që këto ndryshime të ligjit për mediat të hiqen tashmë zyrtarisht nga rendi i ditës së Kuvendit pasi qëndrojnë të varura si 'shpatë' mbi mjedisit mediatik. Në të njëjtën kohë, ata u kërkuan mediave shqiptare të krijojnë një sistem të duhur të mekanizmave vetërregullues për të forcuar raportimin etik.

Bashkëraporterët mirëpritën që, që nga vizita e tyre e fundit, opozita ishte rikthyer plotësisht në parlament. Megjithatë, ata shprehën shqetësim për vështirësitë brenda partisë kryesore opozitare dhe rrezikun që kjo të mund të përhapet në mjedisin politik vendas, gjë e cila mund të minojë funksionimin pluralist të institucioneve demokratike të vendit. “Të gjitha demokracitë kanë nevojë për një opozitë që funksionon mirë për të siguruar një sistem të duhur kontrollesh dhe balancash. Prandaj i bëjmë thirrje Partisë Demokratike që të kapërcejë mosmarrëveshjet e brendshme dhe të luajë rolin e saj të rëndësishëm në qeverisjen e vendit. Në këtë duhet të përfshihen të gjitha palët”, theksuan ata.

Së fundmi, raporterët shprehën vlerësimin e tyre ndaj shoqërisë multikulturore dhe fetare të Shqipërisë, si dhe ndaj dominimit të grave në kabinetin shqiptar, duke nënvizuar rolin e spikatur që gratë luajnë në jetën politike të vendit.

 

 

 

Asambleja Parlamentare Strazburg 4 korrik 2022
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail