Institucionet shqiptare kanë përmirësuar aftësitë e tyre për të identifikuar dhe adresuar risqet e korrupsionit ne sektorin e arsimit para-universitar përmes rishikimit dhe përshtatjes së metodologjisë sipas sektorit të arsimit në Shqipëri. Metodologjia e përshtatur me mbështetjen e Veprimit kundër Krimit Ekonomik të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës pajis institucionet me mjete praktike për të mbledhur të dhëna, vlerësuar riskun dhe për të planifikuar masa të përshtatshme korrigjuese.
Përfaqësues të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin, Drejtorisë e Përgjithshme Anti-Korrupsion dhe Ministrisë së Arsimit, pjesë e grupit ndër-institucional të punës së ngritur për vlerësimin e risqeve të korrupsionit në sektorin e arsimit kontribuan në përshtatjen e metodologjisë përkatëse. Përmes udhëzimeve dhe bashkëpunimit të Këshillit të Evropës, metodologjia u përshtat me standardet evropiane dhe u adaptua në kontekstin specifik të sistemit arsimor të Shqipërisë.
Për të përmirësuar kapacitetet institucionale për zbatimin e metodologjisë, më 23 korrik 2026 u organizua një seminar në Tiranë. Përmes prezantimeve nga ekspertët e Këshillit të Evropës dhe ushtrimeve inter-aktive në grup, pjesëmarrësit u njohën me metodologjinë e përshtatur dhe provuan zbatimin e saj praktik duke analizuar procese të caktuara arsimore, testuan mjetet për mbledhjen e të dhënave dhe hartuan një regjistër shembull të risqeve potenciale. Ushtrimet ishin të përgatitura në një mënyrë të tillë që të ndihmonin institucionet për procesin e ardhshëm të vlerësimit.
Seminari gjithashtu shërbeu si një platformë për të diskutuar organizimin praktik të procesit të vlerësimit, duke përfshirë përgjegjësitë institucionale, kriteret për mbledhjen e të dhënave, afatet e zbatimit dhe masa të tjera të nevojshme. Rezultat i kësaj asistence është fuqizimi i kapaciteteve të institucioneve shqiptare për të identifikuar, analizuar dhe adresuar sistematikisht risqet e korrupsionit në sektorin e arsimit. Kjo arritje shënon një hap kyç në zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale Anti-Korrupsion 2024–2030 dhe përmbush një prej rekomandimeve të Bashkimit Evropian për kryerjen e vlerësimit të risqeve në sektorët më të prirur ndaj korrupsionit. Kjo iniciativë do të kontribuojë në rritjen e integritetit, transparencës dhe llogaridhënies në sektorin e arsimit, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, pjesë e Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë III, një program i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe i Këshillit të Evropës.


