Back Veprimi kundër Krimit Ekonomik mbështet progresin e Shqipërisë në fushën e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

Veprimi kundër Krimit Ekonomik mbështet progresin e Shqipërisë në fushën e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

Projekti i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, organizoi një tryezë për rishikimin e progresit të Shqipërisë në fushën pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si pjesë e procesit përgatitor për Raundin e Gjashtë të Vlerësimit të MONEYVAL1-it, i cili do të nisë në vitin 2025.

Në takim morën pjesë përfaqësues të lartë të agjencive ligjzbatuese dhe autoriteteve publike përgjegjëse për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ky takim synoi të paraqesë dhe diskutojë gjetjet dhe rekomandimet kryesore të asistencës teknike të ofruar autoriteteve shqiptare për përmirësimin e efektivitetit të masave të brendshme në lidhje me bashkëpunimin ndërkombëtar, inteligjencën financiare, hetimin dhe ndjekjen penale të pastrimit të parave, si dhe konfiskimin e aseteve kriminale në përputhje me standardet evropiane.

Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, u shpreh: “Ky vlerësim vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë në kuadër të përshpejtimit të procesit të integrimit në BE. Shqipëria nuk është më pjesë e “listës gri” të FATF-së, si rrjedhojë e progresit të saj në përforcimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Avancimi i mëtejshëm mbi këtë arritje do të jetë vendimtar në vlerësimin e Shqipërisë nga MONEYVAL”.

Në fjalën e tij, Ervin Koçi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, u shpreh se mbështetja e dhënë nga Këshilli i Evropës ka qenë thelbësore në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe pajisjen e autoriteteve përgjegjëse me mjetet, aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për arritjen e një vlerësimi të suksesshëm nga MONEYVAL.

Ky aktivitet shënon finalizimin e një mbështetjeje gjithëpërfshirëse gjashtëmujore, e cila kombinoi asistencën teknike për rishikimin e informacionit të përgatitur bazuar në formatin e vlerësimit të MONEYVAL, si dhe  njëzet e katër (24) takime individuale me përfaqësues të autoriteteteve përgjegjëse për të adresuar sfidat pararendëse të vlerësimit të MONEYVAL. Si rezultat, u hartuan një sërë rekomandimesh specifike për secilën nga fushat dhe institucionet e përfshira, për të adresuar në mënyrë efektive mangësitë e identifikuara. Përmes kësaj asistence u ofruan udhëzime të qarta për masat e nevojshme për forcimin e mëtejshëm të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, në përputhje me standardet evropiane.

Ky aktivitet u organizua nga Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, si pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.

 

[1] Organ monitorues i Këshillit të Evropës ‘Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit’.

Tiranë, Shqipëri 10 Janar 2025
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail