Aksesi në informacion përbën një nga shtyllat themelore të llogaridhënies demokratike, transparencës dhe besimit të publikut. Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës po bashkëpunojnë me Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me synimin për të forcuar kapacitetet në promovimin dhe garantimin e aksesit efektiv në informacionin zyrtar, në përputhje me standardet evropiane.
Duke u mbështetur në Programin e Trajnimit të Këshillit të Evropës për Aksesin në Informacion në Kontekstin e Lirisë së Shprehjes, prezantimet dhe diskutimet trajtuan aksesin në informacionin zyrtar në lidhje me lirinë e shprehjes, duke u bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe në parimet e Konventave të Tromsø-s dhe Aarhus-it. Sesionet trajtuan kuadrin ligjor të Shqipërisë dhe shqyrtuan procedurat dhe instrumentet për vlerësimin e zbatimit të së drejtës për informim.
Përmes shembujve praktikë dhe diskutimeve të moderuara nga ekspertë të Këshillit të Evropës, pjesëmarrësit shqyrtuan arsyet kryesore për kufizimin e aksesit në informacion, u njohën me mënyrën e zbatimit të testit të interesit publik dhe analizuan se si mund të vendoset një ekuilibër ndërmjet të drejtës së publikut për t'u informuar dhe mbrojtjes së interesave legjitime. Programi i vendosi standardet evropiane në kontekstin shqiptar, duke nxitur reflektimin mbi përputhshmërinë e legjislacionit dhe praktikave vendase me këto standarde.
Trajnimi prezantoi gjithashtu një metodologji që pjesëmarrësit mund ta përdorin për të përcjellë njohuritë e fituara në kuadër të aktiviteteve të ardhshme trajnuese. Kjo qasje synon të shumëfishojë efektin e trajnimit, duke bërë të mundur që njohuritë e përfituara të mos mbeten vetëm te pjesëmarrësit, por të përcillen më tej, me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zbatimin më të qëndrueshëm të së drejtës për informim në Shqipëri.
Ky aktivitet u organizua nga Divizioni për Bashkëpunimin në Fushën e Lirisë së Shprehjes, në kuadër të projektit Mbrojtja e Lirisë së Shprehjes dhe e Medias në Shqipëri (PRO-FREX-A), pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.


