E drejta për liri dhe siguri

E drejta për mosmohim të lirisë personale pa shkak të ligjshëm përbën një ndër gurët kryesorë të themelit të sistemit të Konventës. Kështu, neni 5 mbron fuqimisht prezumimin në favor të lirisë që në fillim, si pozitivisht dhe negativisht: "Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj …".

 

Humbja e lirisë ka dy elementë: izolimin në një vend të caktuar për një periudhë kohe jo të vogël, dhe mungesën e pëlqimit nga i ndaluari. Ajo nuk kërkon mbylljen fizike. Në të njëjtën kohë, disa raste kontrolli të njerëzve të konsiderueshëm në numër për arsye sigurie nuk çojnë në mohim lirie sipas kuptimit të këtij neni. Për shembull, kontrolli i turmave të njerëzve në aktivitetet sportive, ose në autorstradë pas një aksidenti, nuk përbën mohim lirie. Gjykata ka konstatuar po ashtu se, mbëshetur në fakte të caktuara, neni 5 nuk zbatohet kur demostruesit, përfshirë dhe disa elementë të dhunshëm, mbahen të izoluar për disa orë nga një kordon policie për arsye të sigurisë publike në një zone të ngushtë të qytetit (Austin and others v. the United Kingdom).

 

Gjykata ka theksuar se mbrojtja nga arbitrariteti është baza e nenit 5, i cili parashikon të drejtën për siguri dhe liri, dhe kërkon që të respektohen në të gjitha rastet dhe procedurat e parashikura në ligj. Për shembull, në rastin e një shtetasi të huaj të kërkuar për vrasje në shtetin A dhe në rrethanat ku ai nuk mund të ekstradohej në këtë shtet për arsye ligjore, policia e arreston dhe e dërgon me forcё me makinë në kufi të shtetit B, prej ku mund të ekstradohej, Gjykata u shpreh se arrestimi, i cili duhej të organizohej në përputhje me kërkesat e ligjit për ektradimin, ishte arbitrar dhe në kundërshtim me nenin 5 (Bozano v. France).

 

Në ndryshim me nenin 3, e drejta për liri nuk është e drejtë absolute; ka pa dyshim arsye legjitime pse shoqëria mund të duhet t’u mohojë lirinë njerëzve për arsye të interesit të përgjithshëm, veçanërisht kur veprimet e tyre përbëjnë rrezik qoftë për veten ose për të tjerët. Kështu, e drejta është objekt i gjashtë përjashtimeve specifike, të parashikuara në paragrafin 1, gërma a deri në f, të cilat janë shterruese. Zyrtarët përgjegjës për zbatimin e ligjit dhe veçanërisht individët që kanë kompetencё të bëjnë arrestime dhe ndalime, kanë një rol shumë të rёndësishëm për respektimin strikt të kufijve të përcaktuar nga gërma a deri në gëtmën f, dhe t’i dërgojnë veprimet dhe vendimet e tyre menjëherë për kontroll gjyqësor.

 

gjashtë përjashtimet e lejimit të mohimit të lirisë janë:

  • (a) kur burgoset ligjërisht pas një dënimi të dhënë nga një gjykatë kompetente;
  • (b) kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për moszbatim të një urdhri të dhënë nga gjykata në përputhje me ligjin ose për të garantuar përmbushjen e një detyrimi të parashikuar nga ligji;
  • (c) kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
  • (d) kur një i mitur (pra nën moshën 18 vjeç) ndalohet ligjërisht për qëllim edukimi, ose është në pritje të procedurave jo penale (p.sh. për ta çuar të miturin nën kujdes; proceset penale mbulohen nga pika c) ;
  • (e) kur ndalohet ligjërisht për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, të personave të sëmurë mendërisht, alkoolistëve, narkomanëve ose endacakëve;
  • (f) kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në atë vend, ose nëse kundër tij është duke u kryer një procedurë dëbimi ose ekstradimi;

Në të gjashta situatat ka një kërkesë specifike për ndalimin që të jetë i ligjshëm. Kjo nuk do të thotë që ndalimi duhet të jetë në përputhje me të drejtën dhe me procedurën e brendshme, të cilat duhet të jenë si të aksesueshme dhe të parashikueshme, por që dhe zbatimi i tyre të jetë në përputhje me Konventën, pra të bëhet për një ndër qëllimet e parashikuara nga gërma a deri tek gërma f.

 

Ndalimi për sigurimin e realizimit të një detyrimi ligjor (gërma b) mbulon gjëra të tilla si, për shembull, pengimin në një bllokim rrugor, teste të rastësishme për përdorim alkoholi, si dhe ushtrime të tjera të zakonshme për forcat e policisë. Çdo ndalim duhet të bëhet si akt fundor, pasi personit t’i jetë dhënë mundësia të përmbushë detyrimet në mënyrë vullnetare. Ai duhet të jetë po ashtu përpjestimor me qëllimin e sigurimit të përputhshmërisë, dhe jo për qëllim dënimi.

 

Arrestimi dhe ndalimi për dyshim për kryerjen e një krimi (gërma c) përbën situatën më të zakonshme përjashtimore dhe situatën nga e cila ngrihen më shpesh problemet. Arrestimi duhet të bëhet për një dyshim të arsyeshëm me qëllimin e ngritjes së akuzave dhe jo të nxjerrjes së informacionit që mund të çojë në ngritjen e akuzave. Gjykata e pranon që një periudhё kohe për marrjen në pyetje është e lejueshme, dhe që në disa raste, për shembull, kur dyshohet për akte terroriste, mund të jetë e gjatë, për shkak të vështirësisë për marrjen e provave të qenësishme bazuar në të cilat mund të ngrihen akuzat.

 

Gjykata nuk ka dhënë përkuzimin e "të sëmurëve mendërisht" (gërma e), për shkak se opinioni dhe praktika mjekësore janë gjithnjë në zhvillim e sipër. Për pasojë, e vetmja mënyrë e sigurt për zyrtarët është që t’i ndalojnë njerëzit (dhe t’i mbajnë ata të ndaluar) bazuar në konsultime mjekësore të besueshëm, objektive dhe të kohëve të fundit. Vendi dhe kushtet ku mbahen këta persona duhet të jenë në përputhje me situatën e tyre. Edhe vendosja e një personi të sëmurë mendërisht në një institucion të kujdesit social mund të çojë në mohim të lirisë.

 

Lidhur me trajtimin e personave të sëmurë mendërisht, alkoolistëve, narkomanëve dhe endacakëve (gërma e), Gjykata kërkon përgjigje përpjestimore me sjelljen e personit. Në rastin kur dikush që ishte i alkoolizuar u fut në një debat në zyrën e postës, policia e dëboi në një qendër trajtimi dhe e mbajti atje për mbi gjashtë orë. Nuk kishte prova që dëshmonin se personi përbënte rrezik për të tjerët ose për veten, dhe ai as që kishte historik përdorimi të alkoolit. Policia kishte mundësi të tjera (për shembull, ta çonte në shtëpi personin të kthjellohej). Në këtë rast Gjykata u shpreh se "ndalimi i një personi është gjë kaq serioze saqë është i justifikuar atëherë kur janë shqyrtuar masa më pak të rënda dhe kur ato janë konstatuar si të pamjaftueshme për të mbrojtur individin ose publikun" (Witold Litwa v. Poland).

 

Ndalimi në pritje të dëbimit ose ekstradimit (gërma f) mund të bëhet në një qendër ndalimi të krijuar posaçërisht për përpunimin e shpejtë të çështjeve të tilla, por vetëm për një periudhë të shkurtër (shtatë ditë janë konsideruar të pranueshme nga Gjykata (Saadi v. the United Kingdom). Ndalimi mund të ndodhë jashtë çdo vendi të njohur ndalimi: në rastin kur azilkërkuesit u izoluan në një zonë tranziti në një aeroport për njëzet ditë, periudhë pas të cilës ata u dëbuan, Gjykata u shpreh se kishte shkelje të Konventës. Në teori azilkërkuesit ishin të lirë të largoheshin, por në praktikë ata nuk kishin se ku të shkonin dhe nuk kishin asnjë ndihmë ligjore ose sociale. Në këtë rast nuk ishin zbatuar garancitë e Nenit 5 (Amuur v. France).

 

Paragrafi 2 i nenit 5 kërkon që personi i arrestuar të informohet brenda një afati sa më të shkurtër dhe në një gjuhë që e kupton për arsyet e arrestimit dhe në lidhje me çdo akuzë që i bëhet. Informimi i personit për arsyen e arrestimit, në një gjuhë të thjeshtë dhe jo teknike, në mënyrë që ai të mund ta mohojë akuzën, ose të kundërshtojë ndalimin, në qoftë se është e nevojshme në gjykatë, përbën garanci bazë (shih Nenin 5(4) më poshtë). Gjuha që kuptohet prej të arrestuarit mund të jetë një gjuhë e huaj, ose, për shembull, gjuha e shenjave, në rast se ka problem dëgjimi. Ajo çfarë plotëson kërkesën "brenda një afati sa më të shkurtër të jetë e mundur" mund të ndryshojë në varësi të rethanave të çështjes, por Gjykata është shprehur se pret që informacioni t’i jepet të ndaluarit "brenda pak orësh nga arrestimi". Po ashtu, niveli i detajeve mund të ndryshojë: në disa raste të dyshimeve për terrorizëm, Gjykata e ka pranuar që arsyet mund të jenë të shkrurtra dhe më pak specifike sesa në çështjet normale për të shmangur dhënien e tepërt të informacionit që është i njohur ose jo nga autoritetet. Në raste të rralla, informacioni mund t’i jepet përfaqësuesit/avokatit të personit të ndaluar (për shembull, kur gjendja mendore e tij e bën të pamundur kuptimin e situatës).

 

Paragrafi 3 kërkon që personi i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e dyshimit për kryerjen e një krimi të çohet menjëherë përpara një gjyqtari ose një zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në pritje të gjykimit. Kjo gjë duhet të ndodhë në mënyrë automatike; i ndaluari nuk duhet të aplikojë për këtë gjë (ndryshe nga paragrafi 4 më poshtë). Personi përpara të cilit çohet i ndaluari mund të jetë një gjyqtar ose magjistrat, ose çdo zyrtar tjetër i autorizuar me ligj për ushtrimin e funksioneve gjyqësore, me kusht që personi të jetë i pavarur nga organet dhe palët dhe të jetë i paanshëm. Argumenti është që personi të ketë kompetencë për rishikimin e themelit të çështjes, të sigurohet që arsyet për arrestimin ose ndalimin janë të mjaftueshme dhe të urdhërojë lirimin në rast se nuk ka arsye të mjaftueshme. Kushtet që plotësojnë specifikimin "menjëherë" sërish mund të ndryshojnë, por normalisht akti duhet të ndodhë ditën tjetër. Gjykata është shprehur për katër ditë si periudhë maksimale, megjithëse periudha më të shkurtra mund të jenë në kundërshtim me Konventën. Vendimi për lirim me kusht mund të merret atëherë, ose menjëherë më pas. Gjykata kërkon që ndalimi në pritje të gjykimit të bëhet atëherë kur ai është i nevojshëm (për shembull, nëse ka rrezik serioz për fshehjen e të ndaluarit), bazuar në shqyrtimin e duhur të rrethanave të çdo çështje konkrete, në përputhje me prezumimin e përgjithshëm në favor të lirisë. Çuarja e çështjes në gjykatë brenda një kohe të arsyeshme përfshin prokurorët, gjykatat dhe policinë. Të gjithë duhet të punojnë sëbashku për këtë qëllim.

 

Paragrafi 4 është dispozita "habeas corpus" e Konventës, duke i dhënë personit të arrestuar ose të ndaluar të drejtën "të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e ndalimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se ndalimi është i paligjshëm". Kjo e drejtë nuk mund të përdoret për të kontestuar burgimin si pjesë e një dënimi penal (neni 5(1)(a)). Procedura duhet të jetë e tillë që t’u japë mundësi të dyja palëve të shprehen, dhe të dyja palët duhet të kenë barazi armësh, çfarë do të thotë që personat e ndaluar dhe avokatët e tyre duhet të kenë akses në dokumentet bazë, mbështetur në të cilat është kërkuar ndalimi. "Brenda një afati të shkurtër" nënkupton që nuk duhet të ketë vonesa të pajustifikuara për ngritjen e procedruave para gjykatës (si për shembull, vonesa në përkthimin e dokumenteve të përdorura në proceset gjyqësore). Në rast se ndalimi urdhërohet nga një gjykatë, në përgjithësi kjo e përmbush këtë të drejtë. E drejta përfshin normalisht të drejtën periodike të hapjes së një procedure rishikimi për ligjshmërinë e ndalimit.
Paragrafi 5 garanton të drejtën për dëmshpërblim të çdo personi viktimë arrestimi ose ndalimi në kundërshtim me dispozitat e Nenit 5. Sigurimi i kësaj të drejte u takon të tjerëve, jo zyrtarëve puna e të cilëve përfshin kompetencat e arrestimit ose ndalimit, por është një stimul i fuqishëm për këta zyrtarë për të respektuar të drejtat e parashikuara në nenin 5. Mosrealizimi i kësaj të drejte mund t’i kushtojë shumë para shtetit.

 

Download the abstract