Neni 41 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Shpërblimi i drejtë: Kur Gjykata konstaton se ka pasur një shkelje të Konventës ose të protokolleve të saj dhe, nëse e drejta e brendshme e Palës së Lartë Kontraktuese lejon të bëhet vetëm një ndreqje e pjesshme, Gjykata, kur është e nevojshme, i akordon shpërblim të drejtë palës së dëmtuar.
Pas hyrjes në fuqi të Protokollit 14, më 1 qershor 2012, Komiteti i Ministrave mbikëqyr edhe ekzekutimin e kushteve të zgjidhjeve me pajtim të përcaktuara nga Gjykata (neni 39 i Konventës), duke përfshirë çdo shumë për të cilën shteti ka rënë dakord t’i paguajë kërkuesit sipas kushteve të kësaj marrëveshjeje.
Kur Gjykata konstaton shkelje të një shteti dhe kur vëren se pala ankimuese është dëmtuar, ajo vendos që pala kërkuese të përfitojë shpërblimin e drejtë, i cili është një shumë parash si mënyrë për të dëmshpërblyer dëmin ndaj palës së dëmtuar. Dëmet janë të llojeve të mëposhtme:
Dëmi në përgjithësi
Duhet të përcaktohet një lidhje e qartë shkak-pasojë ndërmjet dëmit të shkaktuar dhe shkeljes së pretenduar. Gjykata nuk mjaftohet vetëm me një lidhje sipërfaqësore ndërmjet shkeljes së pretenduar dhe dëmit të shkaktuar, dhe as me spekulime lidhur me dëmin që mund të jetë shkaktuar. Dëmshpërblimi i drejtë për dëmin e pësuar mund të jepet nga Gjykata për aq kohë sa dëmi ka ardhur si rezultat i shkeljes së kryer. Kompensimi nuk jepet nga Gjykata për dëme të shkaktuara nga aktivitete ose situata për të cilat Gjykata nuk konstaton shkelje të Konventës, ose për dëme të deklaruara të papranuara në një fazë të mëparshme procesesh gjyqësore. Qëllimi i vendimit të Gjykatës në lidhje me dëmin është dëmshpërblimi i kërkuesit për pasojat e dëmshme aktuale të një shkeljeje. Si rezultat, deri tani Gjykata e ka konsideruar të papërshtatshme pranimin e pretendimeve për dëme të tilla si “ndëshkuese”, “rënduese” ose “përjashtimore”.
1. Dëmi material
Përsa i përket dëmit material, parimi është që kërkuesi duhet të vendoset, sa më shumë të jetë e mundur, në pozicionin që ai ose ajo do të kishte qenë nëse nuk do të kishte ndodhur shkelja, pra, me fjalë të tjera dëmi material nënkupton restitutio in integrum. Ai përfshin kompensimin si për humbjen e pësuar (damnum emergens) dhe për humbjen, ose fitimin e munguar që pritet në të ardhmen (lucrum cessans). Barra e provës i takon kërkuesit, pra është kërkuesi ai që duhet të tregojë se dëmi material ka ardhur si rezultat i shkeljes ose shkeljeve të pretenduara. Kërkuesi duhet të parashtrojë sa më shumë dokumente të jetë e mundur për të provuar, për aq sa është e mundur, jo vetëm ekzistencën e dëmit por edhe shumën ose vlerën e dëmit të shkaktuar. Normalisht, vendimi i Gjykatës reflekton shumën e plotë të llogaritur për dëmin. Gjithsesi, nëse dëmi aktual nuk mund të llogaritet saktësisht, Gjykata do të bëjë vlerësimin e saj bazuar në faktet që ka në dispozicion.
2. Dëmi jo material
Vendimi i Gjykatës në lidhje me dëmin jo material ka si synim të ofrojë dëmshpërblim financiar për dëmin jo material, si për shembull vuajtjet mendore ose fizike. Është në natyrën e dëmit jo material që ai nuk çon në përllogaritje të saktë. Nëse përcaktohet prania a këtij lloj dëmi nga Gjykata dhe nëse Gjykata është e mendimit se është i nevojshëm një vendim që përfshin kompensimin monetar, ajo bën një llogaritje mbi bazë të drejtë, duke pasur parasysh standardet që dalin nga jurisprudenca e saj.
3. Kostot dhe shpenzimet
Gjykata mund të urdhërojë rimburisimin e kostove dhe shpenzimeve të kërkuesit, të realizuara së pari në nivelin e brendshëm, dhe më pas dhe në proceset gjyqësore para Gjykatës në përpjekje për parandalimin e shkeljes, ose në përpjekje për të ofruar dëmshpërblim për të. Këto kosto dhe shpenzime zakonisht përfshijnë koston e ndihmës ligjore, tarifat e regjistrimit në gjykatë dhe tarifa të tilla të ngjashme. Ato mund të përfshijnë po ashtu edhe shpenzime udhëtimi dhe jetese, veçanërisht nëse këto shpenzime kanë dalë si rezultat i pjesëmarrjes në seancat e Gjykatës.
Sekretariati i Departamentit për Ekzekutimin e Vendimeve të Gjykatës regjistron informacionin e marrë nga qeveritë palë në procese gjyqësore, ose nga pala kërkuese në lidhje me pagimin ose dëmshpërblim e drejtë, ose të një borxhi të brendshëm dhe e kontrollon këtë informacion në rast kundërshtimi nga kërkuesi. Nëse është e nevojshme, Komiteti i Ministrave sigurohet se shuma e dhënë në vendimin e Gjykatës i është paguar realisht kërkuesit.