Shumica e personave të intervistuar nga delegacioni i KPT-së deklaruan se ishin trajtuar në mënyrë korrekte nga policia. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm personash (duke përfshirë edhe shumë të mitur) pohuan se kishin qenë të nënshtruar ndaj keqtrajtimit fizik (p.sh. shuplaka, grushta, shqelma ose goditje me shkop) në kohën e arrestimit të tyre ose gjatë marrjes në pyetje nga ana e oficerëve të policisë.
Kushtet materiale të paraburgimit ishin shumë të varfër në shumicën e institucioneve policore të vizituara (qeli të shkatërruara, pa dritë natyrore ose shumë të kufizuara, ndriçim artificiale të zbehtë dhe ventilim të varfër). Në reagimin e tyre, autoritetet shqiptare tregojnë se shumë prej objekteve policore të paraburgimit janë duke u rinovuar apo rindërtuar plotësisht.
Në burgje, marrëdhëniet personel-të burgosur në tërësi u dukën të ishin mjaft të qeta dhe dhuna ndërmjet të burgosurve nuk dukej të ishte një problem i madh. Megjithatë, në burgun e Korçës, burgun nr. 313 i Tiranës dhe në Qendrën e Paraburgimit në Durrës, disa të burgosur pretenduan se ishin keqtrajtuar fizikisht nga anëtarët e grupeve të veçanta të ndërhyrjes në këto objekte.
Nga ana tjetër, në Qendrën e Paraburgimit në Kukës kushtet ishin të tmerrshme (qeli me lagështi dhe të ndyra, me riparime në gjendje të dobët, me dritë natyrore të kufizuar dhe ventilim të papërshtatshëm). Disa njësi në Burgun nr. 313 në Tiranë ishin të mbipopulluara rëndë. Në reagimin e tyre, autoritetet shqiptare informojnë KPT-në se në të ardhmen e afërt do të fillojë ndërtimi i një qendre të re të paraburgimit në Kukës si edhe e një burgu të ri arresti në Tiranë. Kushtet materiale ishin të varfër edhe në shumë qeli të burgut të Burrelit dhe në Spitalin Psikiatrik Shkodër.
Në kontrast me sa më sipër, KPT-ja gjeti kushte materiale të kënaqshme në Qendrën e sapo-ndërtuar të Riintegrimit të të Miturve në Kavajë, por edhe në burgjet e Fushë-Krujës dhe Korçës, në Qendrën e Paraburgimit në Durrës, si dhe në shtëpitë komunitare në Elbasan dhe Shkodër, të gjithë të hapura së fundmi.
Kushtet e jetesës së pacientëve në Spitalin e Burgut në Tiranë janë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme. Megjithatë, KPT-ja ka shprehur shqetësim serioz në lidhje me praktikën e vazhdueshme të përdorimit të zinxhirëve metalike për të kufizuar në shtretërit e tyre pacientët vetëvrasës apo të shqetësuar. Në reagimin e tyre, autoritetet e shtetit shqiptar deklaruan se në të ardhshmen do të përdoren vetëm rripa lëkure.
Raporti i vizitës së KPT-së dhe përgjigja e Qeverisë Shqiptare, e cila ka kërkuar publikimin e tyre, janë në dispozicion në anglisht në faqen e internetit: http://www.cpt.coe.int