Back Partnerët shqyrtojnë progresin dhe prioritetet për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të pronës në Shqipëri

Partnerët shqyrtojnë progresin dhe prioritetet për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të pronës në Shqipëri

"Në zemër të punës së Këshillit të Evropës janë njerëzit: dinjiteti i tyre, të drejtat e tyre dhe besimi i tyre në drejtësi dhe institucionet publike, dhe kjo është edhe arsyeja pse Projekti D-REX vazhdon të ketë rëndësi." u theksua nga Drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Giulia Re, gjatë Takimit të 5-të të Komitetit Drejtues të projektit "Mbrojtja e  të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri" (D-REX III), të mbajtur më 29 qershor në Tiranë.

I mbajtur në një format hibrid, takimi mblodhi së bashku përfaqësues të lartë të Këshillit të Evropës, Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe institucioneve kryesore përfituese shqiptare, duke përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Zyrën e Avokatit të Shtetit, Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Agjencinë për Trajtimin e Pronës dhe Agjencinë Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës.

Ky Takim ishte një mundësi për të diskutuar me përfituesit dhe partnerët kryesorë të veprimit ndërhyrjet e ardhshme në forcimin e të drejtave të pronësisë, duke bërë një vlerësim të progresit të arritur. Pjesëmarrësit reflektuan mbi sfidat kryesore dhe prioritetet kryesore gjatë zbatimit të veprimit dhe për të siguruar harmonizim të vazhdueshëm midis partnerëve.

Diskutimet u përqendruan në tre prioritete strategjike të Projektit: forcimin e koordinimit institucional për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane, forcimin e kapacitetit të institucioneve vendase për të zbatuar standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe përmirësimin e aksesit në drejtësi dhe ndërgjegjësimin publik në mënyrë që të gjithë qytetarët, veçanërisht grupet vulnerabël dhe të margjinalizuara, të mund t'i kuptojnë dhe ushtrojnë më mirë të drejtat e tyre.

Me një angazhim të përbashkët për forcimin e sundimit të ligjit, Veprimi do të vazhdojë të punojë ngushtë me agjencitë qeveritare, institucionet gjyqësore dhe shoqërinë civile për të promovuar sigurinë ligjore, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ekzekutimin në kohë të vendimeve.

Ky aktivitet është organizuar në kuadër të projektitmbi "Mbrojtjen e të drejtës së pronës dhe lehtësimin e ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri", i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe i zbatuar nga Këshilli i Evropës në kuadër të programit "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë III".

Tiranë, Shqipëri 29 qershor 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail