Projekti i ri, "Mbështetje për Ciklin e Procesit Zgjedhor në Shqipëri” (SECA), ka nisur zbatimin e tij me qëllim forcimin e pavarësisë dhe kapaciteteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nxitjen e angazhimit gjithëpërfshirës të organizatave shoqërisë civile dhe të mediave në proceset zgjedhore, dhe forcimin e besimit të publikut në zgjedhje. Gjatë tre viteve të ardhshme, SECA - i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Këshilli i Evropës, dhe i zbatuar nga Këshilli i Evropës, do të bazohet mbi mbështetjen e mëparshme zgjedhore, duke promovuar praktika të qëndrueshme në administrimin zgjedhor, duke rritur transparencën dhe duke inkurajuar pjesëmarrjen demokratike, në përputhje me prioritetet e Shqipërisë për anëtarësimin në BE.
Në takimin e organizuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve më 16 shtator, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë dhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri diskutuan për qëllimet, zbatimin dhe koordinimin e kësaj iniciative. Komisioneri Ilirjan Celibashi shprehu mbështetjen e institucionit të KQZ-së dhe konfirmoi angazhimin e plotë të tij për përfshirje aktive, duke theksuar përputhshmërinë e këtij projekti me prioritetet strategjike të institucionit. Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë Giulia Re dhe përfaqësuesit e Delegacionit të BE-së theksuan rolin strategjik të SECA-s në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht në sigurimin e pavarësisë dhe funksionimin efektiv të KQZ-së. Gjatë takimit u theksua rëndësia e nxitjes së pjesëmarrjes aktive nga organizatat e shoqërisë civile dhe mediave, si dhe forcimi i besimit publik përmes angazhimit të informuar demokratik në zgjedhje.
Projekti SECA do të zgjasë 36 muaj. Më shumë informacion rreth aktiviteteve dhe rezultateve të pritura do të jepet gjatë aktivitetit zyrtar të nisjes së projektit në nëntor 2025.


