Back Investoni në arsim dhe në mësimin e gjuhëve për të ndërtuar një shoqëri kohezive, thotë Komisari Muizhnieks në Shkup

Vizitë
Investoni në arsim dhe në mësimin e gjuhëve për të ndërtuar një shoqëri kohezive, thotë Komisari Muizhnieks në Shkup

"Autoritetet maqedonase duhet të zbatojnë politika që nxisin ndërveprimin dhe mirëkuptimin midis bashkësive etnike dhe që promovojnë kohezionin social duke mbrojtur diversitetin", tha Komisionari për të drejtat e njeriut, Nils Muizhnieks, pas një vizite pesëditore në "ish Republikën Jugosllave të Maqedoni" prej 29 janarit deri më 2 shkurt.

Marrëveshja e paqes që i vuri fund konfliktit ndëretnik në vitin 2001 ka rezultuar me ndryshime, për shembull, në fushën e përfaqësimit të barabartë të bashkësive në institucionet publike, decentralizimit dhe përdorimit të gjuhëve. Megjithatë, nuk është arritur kohezioni social. "Shoqëria maqedonase mbetet thellësisht e ndarë përgjatë vijave etnike dhe gjuhësore dhe është koha e fundit që udhëheqësit politikë të krijojnë një strategji integrimi për të tejkaluar këto ndarje", tha Komisionari Muizhnieks.

Komisionari tregoi shqetësim të veçantë për rritjen e ndarjeve midis fëmijëve të përkatësisë maqedonase dhe asaj shqiptare, të cilët kanë  mundësi të pakta për t'u takuar, për të mësuar së bashku dhe për të luajtur së bashku, sepse sistemi i arsimit është i ndarë sipas gjuhës së mësimit. Ndarja shkakton mosbesim, stereotipa dhe paragjykime. Komisionari vizitoi dy shkolla në Tetovë dhe një në komunën Shuto Orizare në Shkup. Me interes u njoftua për zbatimin e projekteve në disa shkolla që u mundësojnë fëmijëve të përzihen në aktivitete të përbashkëta jashtë-mësimore. Ndërsa inkurajon autoritetet që t'i vazhdojnë këto projekte, Komisionari kërkoi gjithashtu që ata të zhvillojnë një politikë më sistematike dhe afatgjatë për të shmangur ndarjen midis fëmijëve me përkatësi të ndryshme etnike në sistemin arsimor. Ai gjithashtu u bëri thirrje që të promovojnë mundësitë për të mësuar që nga mosha e hershme gjuhën maqedonase për të gjithë fëmijët dhe gjuhën shqipe dhe gjuhët e tjera jo-shumicë në zonat ku bashkësitë e tilla jetojnë në numër të konsiderueshëm.

"Fëmijët janë ardhmëria dhe është me rëndësi që në një shoqëri shumetnike t'u japim atyre mundësinë dhe aftësitë për të ndërtuar mirëkuptim, respekt dhe tolerance të ndërsjellë. Në vend që t'i ndajë, sistemi arsimor duhet t'u sigurojë atyre një ambient që mundëson dhe nxit bashkëveprimin", tha Komisionari. "Arsimi gjithëpërfshirës dhe i integruar nuk është një qëllim utopik. Autoritetet qendrore dhe lokale duhet të mbështesin një sistem arsimor, duke përfshirë në mënyrë të duhur prindërit dhe bashkësitë, i cili do t'u ofrojë fëmijëve të të gjitha grupeve etnike, si dhe fëmijëve me nevoja të posaçme mundësi të takohen dhe të mësojnë për dhe nga njëri-tjetri."

Komisionari i inkurajoi autoritetet që të rrisin përpjekjet e tyre për përfshirjen e fëmijëve me nevoja të posaçme në shkollat ​​e rregullta. Ai theksoi se kjo kërkon që sistemi arsimor t’u përshtatet nevojave të fëmijëve. "Nga arsimi gjithëpërfshirës përfitojnë si fëmijët me nevoja të posaçme, ashtu edhe shoqëria në tërësi", tha Komisionari. Komisionari gjithashtu përshëndeti punën e bërë për rivlerësimin e fëmijëve romë që mund të jenë dërguar gabimisht në shkollat speciale, me çka janë shkelur të drejtat e tyre dhe është përjetësuar margjinalizimi i romëve, dhe si  rinkuadrimin e tyre në shkollat ​​e rregullta.

Komisionari shfrytëzoi vizitën e tij të radhës që të inkurajojë autoritetet për të ndërmarrë veprime konkrete në një sërë fushash që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut për të cilat është angazhuar vendi  dhe ka miratuar strategjitë përkatëse, por ka shënuar progresi të ngadalshëm. Sa i përket ndryshimeve të planifikuara në ligjin kundër diskriminimit, Komisionari përshëndeti amendamentet për të zgjeruar listën e bazave të diskriminimit duke përfshirë orientimin seksual dhe identitetin gjinor dhe për të forcuar funksionimin e Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. "Parandalimi dhe përgjigja e vendosur ndaj sulmeve dhe sjelljeve diskriminuese janë tejet të rëndësishme për arritjen e kohezionit social", theksoi Komisionari.

Komisionari gjithashtu rekomandoi që të intensifkohen përpjekjet për të garantuar mbrojtjen kundër dhunës ose shkeljeve nga ana e policisë që prekin personat e privuar nga liria, protestuesit apo emigrantët, në veçanti nëpërmjet krijimit të një mekanizmi të pavarur të mbikëqyrjes policore. Komisionari i kërkoi më tej autoriteteve që t'i japin fund shkeljeve të të drejtave të njeriut në pikat kufitare në vend, duke përfshirë zmbrapsjen  dhe trafikimin e emigrantëve dhe azilkërkuesve. Ai përshëndeti përpjekjet e autoriteteve për të mënjanuar profilizimin etnik të romëve në kufi për t’i ndaluar që të largohen nga vendi, dhe i ftoi që urgjentisht të dalin me politika për të mbështetur njerëzit që kthehen nga vendet e treta dhe që mund të përballen me vështirësi gjatë riintegrimit në shoqërinë maqedonase dhe sistemin arsimor.

Komisionari theksoi rëndësinë e hetimit dhe ndjekjes efektive të krimeve të urrejtjes, duke përfshirë ato kundër gazetarëve ose pjesëtarëve të komunitetit lezbik, homoseksual, biseksual dhe transeksual. Në fund ai i inkurajoi autoritetet që të finalizojnë procesin e de-institucionalizimit të personave me nevoja të posaçme që ka filluar që prej disa vitesh në vend.

"Përshëndes atmosferën e përmirësuar në vend për të avancuar të drejtat e njeriut", tha Komisionari Muizhnieks.

"Udhëheqësit politikë kanë përgjegjësinë ta shfrytëzojnë këtë moment për të arritur ndryshime reale në mënyrë që të gjithë pjesëtarët e shoqërisë maqedonase të mund t’i gëzojnë të drejtat e tyre njerëzore". Komisionari vizitën e tij të pare në "ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë" e pati në nëntor të viti 2012, e cila u përqendrua në kohezionin social dhe drejtësinë tranzicionale, si dhe të drejtat e njeriut të romëve, që u pasua nga një raport.

Shkup 02/02/2018
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page