Back Shqipëria duhet te vazhdojë të përmirësojë mbrojtjen e fëmijëve dhe përfshirjen e personave me aftësi ndryshe

Raporti i vizitës në vend
Shqipëria duhet te vazhdojë të përmirësojë mbrojtjen e fëmijëve dhe përfshirjen e personave me aftësi ndryshe

“Në Shqipëri është përmirësuar mbrojtja e fëmijëve dhe përfshirja e personave me aftësi ndryshe, por autoritetet ende duhet të vazhdojnë adresimin e mangësive të mbetura”, deklaroi sot Dunja Mijatović, Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, teksa prezantoi raportin mbi vizitën e saj në këtë vend, të kryer nga 21 deri 25 maj 2018, e cila u përqendrua te të drejtat e fëmijëve, të drejtat e personave me aftësi ndryshe dhe aksesin në ndihmën ligjore falas.

Teksa vëren me kënaqësi se në Shqipëri ndalohet me ligj, në të gjitha rrethanat, çdo formë e dhunës ndaj fëmijëve, përfshirë ndëshkimet fizike, Komisionerja mbetet e shqetësuar që niveli i raportimeve për këtë formë dhune vazhdon të mbetet i lartë. “Autoritetet duhet ta trajtojnë këtë problem në mënyrë më sistematike dhe të efektshme. Për këtë qëllim ata duhet të hartojnë dhe vënë në zbatim një strategji të bashkërenduar, të zbatojnë rekomandimet e Grupit të Ekspertëve të Këshillit të Evropës për Masat kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje; të forcojnë kapacitetet e shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve dhe edukimin e profesionistëve, me qëllim identifikimin dhe reagimin ndaj dhunës, si dhe të promovojnë forma pozitive dhe jo të dhunshme të rritjes së fëmijëve.”

Një çështje tjetër shqetësuese mbetet fakti se 700 fëmijë ende jetojnë në institucionet e kujdesit, ndonjëherë për periudha të gjata kohore dhe pa asnjë perspektivë të qartë për t’u larguar prej tyre deri në arritjen e moshës madhore. Duke theksuar se standardet e Këshillit të Evropës përcaktojnë se vendosja e fëmijëve në këto insitucione bëhet vetëm në raste të veçanta, Komisionerja Mijatović rekomandon përshpejtimin e procesit të deinstitucionalizimit dhe parandalimin e vendosjes së fëmijëve në kujdesin e shtetit, duke përfshirë ofrimin e një mbështetjeje më të madhe për familjet me fëmijë, si dhe zhvillimin e një sistemi më efektiv të shërbimit në familje.

legjislacioni shqiptar përcakton se arsimi është përfshirës dhe jodiskriminues, disa fëmijë shqiptarë, veçanërisht ata romë dhe fëmijët me aftësi ndryshe, mbeten jashtë sistemit të zakonshëm arsimor. “Autoritetet duhet të sigurojnë përfshirjen e fëmijëve romë në sistemin arsimor nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me prindërit e tyre dhe përpjekjeve më të mëdha për përfshirjen e romëve në arsimin parashkollor”, shprehet Komisionerja. Për sa u takon fëmijëve me aftësi ndryshe, autoritetet duhet t’u ofrojnë atyre mbështetjen e nevojshme individuale dhe përshtatje të arsyeshme në sistemin e zakonshëm arsimor.

Me qëllim që të sigurohet njohja ligjore e 4900 personave pa shtetësi ose në rrezik që të mbeten pa shtetësi në Shqipëri, shumica prej tyre romë, përfshirë edhe shumë fëmijë, Komisionerja u kërkon autoriteteve që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me detyrimet e Shqipërisë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe vendosjen e një procedure të posaçme për përcaktimin e mungesës së shtetësisë. Shqipëria nxitet të miratojë Konventën e Këshillit të Evropës për Shmangien e Pashtetësisë në Kontekstin e Zhvillimit Shtetëror.

Në lidhje me mbrojtjen dhe përfshirjen e personave me aftësi ndryshe, Komisionerja rekomandon zbatim më të mirë të legjislacionit, zgjidhjen e problemeve strukturore në sistemin e kujdesit social dhe përmirësimin e aksesit në arsimim cilësor dhe punësim. Po kështu, ajo rekomandon hartimin dhe vënien në zbatim të një plani gjithëpërfshirës për deinstitucionalizimin e personave me paaftësi intelektuale apo psiko-sociale dhe zëvendësimin e institucioneve me shërbime në komunitet, duke ofruar mbështetjen dhe mbrojtjen e nevojshme për individët dhe familjet e tyre, kur ata lënë institucionet, si dhe mosvazhdimin e vendosjes së personave me aftësi ndryshe në institucione.

Komisionerja Mijatović, gjithashtu, u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të rishikojnë legjislacionin i cili lë hapësirë për privimin nga aftësia ligjore të personave me paaftësi intelektuale ose psikologjike dhe, për pasojë, edhe privimin e tyre nga të drejtat civile dhe politike. “Autoritetet duhet të harmonizojnë legjislacionin dhe praktikën e brendshme me standardet e OKB-së dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut” me qëllim që të sigurojnë që këta persona të mund të ushtrojnë të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore në kushte të barabarta me të tjerët në të gjitha aspektet e jetës.

Së fundmi, Komisionerja mirëpret zbatimin e ligjit që zgjeron kategorinë e përfituesve nga ndihma ligjore falas dhe u kërkon autoriteteve të shtojnë përpjekjet për heqjen e pengesave që ende hasen nga personat e cënueshëm në lidhje me aksesin në drejtësi.

Strasburg 13/09/2018
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page