Projekti “Unë votoj gjithashtu!” u prezantua në Forumin Botëror për Demokracinë 2025, i zhvilluar në Këshillin e Evropës nën temën “Demokracia në rrezik: si mund ta ringjallim atë?”. Ky prezantim u zhvillua në Sesionin e ideve “Përtej kutisë së votimit: inovacione të udhëhequra nga të rinjtë për forcimin e demokracisë”, duke theksuar se si të rinjtë po riformësojnë pjesëmarrjen demokratike përtej votimit tradicional. Diskutimi u fokusua te qasjet inovative dhe strategjitë e angazhimit qytetar që fuqizojnë të rinjtë në forcimin e institucioneve demokratike.
I mbështetur nga Këshilli i Evropës përmes projektit Fuqizimi i Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri, i financuar nga Republika Federale e Gjermanisë dhe i zbatuar nga Akademia e Studimeve Politike në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (AKAP), “Unë Votoj gjithashtu!” ndërgjegjësoi rreth 20,000 maturantë në 335 shkolla, duke iu dhënë atyre njohuri thelbësore.
Erjon Tase, Drejtor i Akademisë së Studimeve Politike, prezantoi programin si një model i angazhimit qytetar të të rinjve. Duke kombinuar trajnimin e akredituar të mësuesve, mësimin në klasë dhe simulimin e zgjedhjeve, projekti i jep të rinjve një përvojë konkrete të procesit zgjedhor. Sondazhi i kryer me mësues dhe nxënës konfirmoi se shkollat janë burimi kryesor i informacionit për procesin zgjedhor, duke theksur objektivin e programit për të përshtatur dhe integruar më tej edukimin zgjedhor në kurrikulën zyrtare të shkollave në Shqipëri.
“Unë votoj gjithashtu!” tregon angazhimin e Këshillit të Evropës për një demokraci gjithëpërfshirëse dhe ofron një model për shtetet e tjera anëtare që synojnë të rrisin pjesëmarrjen e të rinjve në jetën demokratike.
Mësoni më shumë mbi këtë dhe ide të tjera inovative të diskutuara në Forum në videon e publikuar.


