Back Rishikimi i trajnimeve të administratës zgjedhore me trajnerët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri

Rishikimi i trajnimeve të administratës zgjedhore me trajnerët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri

Analiza “Trajnimet e administratës zgjedhore: sfidat dhe zgjidhjet praktike - Dialog me trajnerët” u zhvillua me trajnerët e certifikuar të administratës zgjedhore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më 30-31 maj 2026.

Aktiviteti ofroi një mundësi për të reflektuar mbi metodologjinë aktuale të trajnimit të administratës zgjedhore, duke u bazuar në përvojat dhe mësimet e nxjerra nga zgjedhjet e 11 majit 2025. Trajnerët morën pjesë në diskutime të hapura mbi aspektet praktike dhe metodologjike të trajnimeve në terren, duke identifikuar gjithashtu fusha që kërkojnë përmirësime të mëtejshme.

Gjatë ditës së dytë, pjesëmarrësit punuan në grupe për të shqyrtuar manualet e trajnimit, me fokus në qartësinë, përdorshmërinë, strukturën e kurrikulës, kohëzgjatjen dhe nivelin e standardizimit të ofrimit të trajnimeve. Diskutimet theksuan nevojën për përdorimin më të gjerë të mjeteve praktike, si rastet studimore, ushtrimet dhe simulimet. Trajnerët theksuan gjithashtu rëndësinë e forcimit të rolit të Qendrës së Trajnimit dhe Edukimit.

Gjetjet dhe rekomandimet e kësaj analize do të shërbejnë për hartimin e raportit përfundimtar të vlerësimit dhe për përditësimin e udhëzimeve që synojnë përmirësimin dhe standardizimin e mëtejshëm të metodologjive të trajnimit zgjedhor. Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të krijuar një grup të qëndrueshëm trajnerësh të certifikuar dhe të kualifikuar, duke kontribuar në një administratë zgjedhore që është në të gjitha nivelet më profesionale, më e qëndrueshme dhe e bazuar në integritet.

Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, në kuadër të projektit Forcimi i Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri zbatuar nga Këshilli i Evropës  dhe financuar nga Republika Federale e Gjermanisë.

Tiranë, Shqipëri 3 qershor 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page

  Electoral glossary
(Venice Commission)