Back Avancimi i trajnimit dhe edukimit zgjedhor në Shqipëri

Avancimi i trajnimit dhe edukimit zgjedhor në Shqipëri

Më 25 maj 2026, aktorë kombëtarë dhe partnerë ndërkombëtarë u mblodhën në Tiranë në tryezën konsultuese të bashkëorganizuar nga Këshilli i Evropës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të diskutuar mbi vizionin e një sistemi të qëndrueshëm për edukimin dhe trajnimin zgjedhor në Shqipëri.

Ilirjan Celibashi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, theksoi angazhimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe edukim të zgjedhësve, duke vënë në dukje rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm si me aktorët ndërkombëtarë, ashtu edhe me shoqërinë civile, për të përmirësuar qasjen institucionale. Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për t’u mbështetur në përvoja krahasuese dhe qasje inovative, me qëllim ndërtimin e kapaciteteve efektive zgjedhore me vizion afatgjatë.

Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, theksoi rëndësinë e një qasjeje që sheh përtej strukturimit organizativ, duke i dhënë peshë të veçantë ndërtimit të një kulture qëndrueshmërie, ekspertize dhe kujtese institucionale. Ajo rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e palëkundur të Këshillit të Evropës për reformat demokratike në Shqipëri.

Thilo Schroeter, Zëvendëskryetar i Misionit të Republikës Federale të Gjermanisë, nënvizoi rëndësinë e reformës së kuadrit ligjor zgjedhor në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar nevojën për ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme institucionale në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe prioritetin e trajnimit zgjedhor dhe edukimit të zgjedhësve.

Franck Daeschler, Koordinator i Programeve Zgjedhore të Këshillit të Evropës, u ndal te partneriteti i ngushtë midis Shqipërisë dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar se qasjet profesionale, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në trajnim dhe edukim zgjedhor fuqizojnë qytetarët dhe forcojnë besimin e publikut në proceset zgjedhore.

Pjesëmarrësit diskutuan nevojën për konsolidimin e përvojave në një kuadër të qëndrueshëm dhe operacional, me qëllim mbështetjen e zhvillimit institucional afatgjatë të administrimit zgjedhor në Shqipëri.

Tryeza u zhvillua në kuadër të projektit Fuqizimi i Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri, i zbatuar nga Këshilli i Evropës dhe i financuar nga Republika Federale e Gjermanisë.

Tiranë, Shqipëri 25 maj 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page

  Electoral glossary
(Venice Commission)